Bundestagu Gjerman, asnjë plan për zgjerimin e misionit në Afganistan
Debati për zgjerimin e mundshëm të misionit gjerman në Afganistan vazhdon edhe pas konferencës së sigurisë në Mynih. Sipas raportimeve në media, do të rritet numri i trupave gjermane në Afganistan. Megjithatë, gjatë një konference për shtyp, qeveria gjermane nuk ka konfirmuar njoftimet e agjencive gjermane sipas të cilave po mendohet zgjerimi i trupave gjermane deri në 4500 ushtarë. “Nuk ka asnjë plan të tillë, as me shifrat e përmendura”, - është deklaruar në këtë konferencë. Aktualisht, ushtria gjermane ka dislokuar 3.500 ushtarë në Afganistan. Mandati i Bundestagut lejon dërgimin maksimal të 3.500 ushtarëve në Afganistan. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Ulrich Vilhelm, bëri fjalë se ka vetëm zëra të veçuar në qeverinë gjermane dhe në Bundestag lidhur me një gjë të tillë. Angazhimi gjerman është i llojit civil-ushtarak. Për domosdoshmërinë e rindërtimit civil të Afganistanit, në qeverinë gjermane ekziston ujdia mes socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve. Shefi i socialdemokratëve, Kurt Bek, bëri të ditur se partia e tij nuk pranon as zhvendosjen e trupave në jug të Afganistanit dhe as shtimin e tyre: “Gatishmëria për të ndihmuar në Afganistan ekziston dhe do të mbesë. Për shembull, transportimi i atyre që janë plagosur. Duhet theksuar dhe kjo është e rëndësishme që angazhimi gjerman do të fokusohet vetëm në veriun e Afganistanit”, - është shprehur Bek.
Rusia dhe Ukraina arrijnë marrëveshje për gazin
Presidenti i Rusisë dhe ai i Ukrainës thonë se kanë arritur një marrëveshje në parim për çështjen e furnizimit me gaz.
Kjo u bë e ditur pas bisedimeve që presidenti ukrainas Viktor Jushçenko zhvilloi në Moskë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, pasi kishte skaduar një afat i vendosur nga Rusia për ndërprerjen e furnizimit me gaz. Jushçenko citohet të ketë thënë se Ukraina do të fillojë ta shlyejë borxhin që i ka kompanisë ruse Gazprom, duke filluar nga dita e enjte.
13 Shkurt 2008