E Diel, 1 Nëntor 2026

Isufi: “Po hartohet deklarata e pavarësisë së Kosovës”

Krerët e institucioneve të Kosovës dhe të tri partive opozitare pritet të finalizojnë këtë javë deklaratën për pavarësinë e Kosovës, që do të lexohet në Kuvend. Anëtari i grupit për hartimin e deklaratës për pavarësi, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, gjatë një interviste për BBC-në ka bërë të ditur se deklarata mbështetet në vullnetin e popullit shumicë për pavarësi dhe përmes saj do të bëhet thirrje për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ai ka bërë të ditur se ende janë duke punuar grupet, të cilat janë në përgatitje të të gjitha elementeve. I pyetur se kur mund të finalizohet deklarata për pavarësinë, Isufi është shprehur se deklarata do të finalizohet në afatin sa më të shpejtë të mundshëm, sepse grupi i punës është në hapat e fundit të përfundimit të procesit. Isufi ka theksuar se kjo deklaratë do të ketë në përmbajtjen e saj zbatimin e planit të Ahtisarit si dhe elemente të tjera të deklaratës kushtetuese të korrikut 1990. Anëtari i grupit për hartimin e deklaratës është shprehur se për këtë deklaratë janë duke punuar disa grupe, të cilat po merren edhe me simbolet, kushtetutën dhe për të gjitha elementet, të cilat kanë të bëjnë me përfundimin e një procesi të gjatë. Isufi ka folur edhe për misionin e BE-së, që pritet të vendoset në Kosovë. Ai e ka konsideruar këtë mision si një shprehje të bashkëpunimit më bashkësinë ndërkombëtare për arritjen e qëllimit final që është integrimi i vendit. “Bashkimi Europian, përmes EULEX-it, po instalohet në Kosovë vetëm në kuptimin formal dhe kjo do të jetë në të njëjtën kohë shprehje e bashkëpunimit të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare për të arritur deri te qëllimi final në integrimet e reja në Europë”. Ai ka sqaruar se përmes kësaj deklarate nuk është e nevojshme ftesa zyrtare për Bashkimin Europian, sepse ai tashmë është i përcaktuar dhe i mirëpritur.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›