SHBA, kritikohet vendimi për gjykimet e të akuzuarve të 11 shtatorit
Grupe amerikane për të drejtat e njeriut kanë kritikuar vendimin për gjykimin përmes komisioneve të posaçme ushtarake të gjashtë personave të akuzuar për sulmet e 11 shtatorit. Kreu i Sigurisë së Brendshme, Majkëll Çertof, ka premtuar një gjyq të paanshëm për të pandehurit, që mbahen në kampin e Guantanamos. Por Qendra për të Drejtat Kushtetuese, që përfaqëson personat e akuzuar për terrorizëm, e cilësoi sistemin e komisioneve ushtarake si të dënueshëm nga ana morale. Organizata “Human Rights Watch” tha se ishte e gabuar që dikush të dënohej me vdekje në bazë të informacioneve të nxjerra përmes torturës. Prokurorët ushtarakë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paditur Khalid Sheik Mohammed, personi që dyshohet se ka përgatitur sulmet e 11 shtatorit, si dhe pesë të burgosur që mbahen në Guantanamo. Të paditurit përballen me mundësinë e dënimit me vdekje. Vrasje në kundërshtim me ligjin e luftës, sulme ndaj civilëve, sulme ndaj objektivave civile, sulme të qëllimshme për të shkaktuar dëme, shkatërrim të pronës në kundërshtim me ligjin e luftës, terrorizëm dhe mbështetje ndaj terrorizmit, janë akuzat me të cilat përballet Khalid Sheikh Mohamed. Për të dihet shumë pak, përtej asaj që kanë bërë të ditur shërbimet sekrete amerikane. Ai pretendon se ka gisht në mbi 30 plane, përfshirë edhe një përpjekje për vrasje masive të civilëve dhe sulme kundër interesave amerikane në mbarë botën. Kjo përfshin edhe organizimin dhe kryerjen e sulmeve të 11 shtatorit 2001. Mohamed ka pranuar se qëllimi i tij ka qenë edhe vrasja e ish-presidentit amerikan Bill Klinton dhe Papa Gjon Palit II. Lidhur me sulmet me bomba në Bali, përpjekjet për të hedhur në erë avionët amerikanë në fluturim si edhe vrasjen me prerje koke të gazetarit amerikan Daniel Pearl, Mohamend pretendon se të gjitha këto akuza rëndojnë mbi të. I akuzuari për tragjedinë e 11 shtatorit flet shumë mirë anglisht dhe katër gjuhë të tjera. Ai është arsimuar në SHBA dhe besohet se ka qenë i treti në hierarkinë e rrjetit “al Kaeda”.
Ndërkohë, katër persona janë arrestuar në SHBA me akuzën se ishin spiunë të Kinës dhe përcillnin informacione të ndryshme ushtarake.
Në mesin e tyre është edhe një punonjës i kompanisë “Boeing” dhe një analist për çështje të mbrojtjes. Megjithëse katër arrestimet erdhën në të njëjtën ditë, ato vijnë për dy çështje të ndryshme. E para përfshin 72-vjeçarin Dongfan Chung, i arrestuar në Kaliforni dhe i paditur për spiunazh për Kinën që prej fundit të viteve ‘70. Njëri prej personave të arrestuar është Greg Uilliam Bergerson, një analist i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
Të ndaluar të tjerë janë edhe dy banorë të Nju Orleans, Tai Shen Kuo dhe Yu Xin Kang. Pretendohet se Bergerson jepte informacione sekrete të mbrojtjes kundrejt pagesave dhe këto informacione përqendroheshin te shitjet e armëve në Tajvan.
13 Shkurt 2008