E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lavrov: “Për statusin e Kosovës po shfrytëzohen standarde të dyfishta”

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, e ka konsideruar Kosovën si një rast jo i veçantë për shkak të të cilit do të shkelej e drejta ndërkombëtare. Këtë deklaratë Lavrov e ka bërë
para nisjes drejt Sllovenisë. Sipas tij, mbështetësit e pavarësisë së Kosovës e konsiderojnë Kosovën si rast unik dhe për këtë shkak, sipas tyre, “mund të shkelet e drejta ndërkombëtare dhe se të gjithë të tjerët duhet të pajtohen me këtë gjë”.
Lavrov është shprehur se “kjo nuk do të ndodhë”. Sipas tij, shumëkush i kupton rreziqet dhe kërcënimet, kupton se kjo gjë do të shkaktonte reagimin zinxhir në shumë pjesë të Europës dhe të botës, megjithatë llogarisin se do t’ia dalin disi. Ndërsa një plan të qartë të aktiviteteve, në rast të reaksioneve të tilla, askush nuk mund ta propozojë. Shefi i diplomacisë ruse ka thënë se për zgjidhjen e statusit të Kosovës po shfrytëzohen standarde të dyfishta. “Thonë se serbët dhe shqiptarët nuk mund të jetojnë së bashku dhe se për këtë shkak duhet ndarë Kosova nga Serbia, mirëpo në Kosovë ka serbë”, - është shprehur ai. “Si do të bëhet me serbët në Kosovë? Për këto pyetje nuk ka përgjigje. Absolutisht bëhet fjalë për standard të dyfishtë”, - ka shtuar Lavrov.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›