E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha i dhuron komunitetit shqiptar ne Worcester flamurin kombetar

Në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë, prej datës 10 nëntor, në sheshin qendror të qytetit Worcester, Massachusets do të valëvitet flamuri shqiptar, flamur i dhuruar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Ëorcester është qyteti me më shumë shqiptarë në SHBA. Pikërisht nga ky qytet mori jetë nisma e bashkimit të patriotëve, që përmes presidentit Woodroë Wilson bënë të mundur që në mbarë botën, Shqipëria të njihet si shtet sovran.

Përmes një mesazhi të veçantë të lexuar gjatë mbrëmjes gala, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka vlerësuar rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare në SHBA, për arritjen në këtë stad të lirisë, zhvillimit dhe integrimit, ku shqiptarët ndodhen sot.

“Për mua është një privilegj i veçantë, t’ju përcjell nga kryeqendra e shqiptarëve, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, mirënjohjen dhe falënderimet më të përzemërta, për gjithçka që ju bëtë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot, çdo shqiptar i ri apo i moshuar, i lindur ose jo në Shqipëri e kremton me krenari këtë ditë dhe i falet Zotit, që sot ne jemi më të lirë dhe me të sigurtë se kurrë në historinë tonë.
Ky 100 vjetor është edhe një moment, për të kujtuar të gjithë ata që kontribuan për t’ia arritur kësaj dite, miqtë dhe aleatët tanë. Rruga jonë ka qenë e gjatë dhe e mundimshme. Pak kombe kanë përjetuar atë padrejtësi që u është bërë shqiptarëve në shekuj. Ne ia kemi dalë të mbijetojmë, edhe falë një miku të madh, një aleati të përjetshëm e strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në momente të vështira, kur diskutohej ekzistenca jonë, ne u mbështetëm fort nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetje e cila vazhdoi edhe më pas, me pavarësinë e Kosovës”- thuhet në mesazhin e kryebashkiakut.

“Tirana është sot kryeqendra e shqiptarëve dhe krenaria jonë. Unë jam i vendosur t’i jap kryeqytetit të shqiptarëve gjithçka që i mungon, për të qëndruar denjësisht mes kryeqendrave të tjera botërore. Unë jam shumë i lumtur që flamuri ynë kombëtar i cili vjen drejtpërdrejt nga Tirana, nga sheshi “Skënderbej”, posaçërisht për 100 vjetorin e Pavarësisë, do të valëvitet krenar edhe në qytetin tuaj të Ëorcester, Massachusets”- vijon mesazhi i Bashës duke i uruar Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit kombëtar.

Komiteti Organizativ i Festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, në Ëorcester ka falënderuar z. Basha, për vëmendjen që i kushton komunitetit shqiptar, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë:
“Dhurimi i flamurit është akti më i bukur dhe fisnik i festës që po organizohet në një nga qytetet me komunitetin më të madh dhe më të vjetër shqiptar, në Amerikë. Prej datës 10 nëntor, ai do të valëvitet në sheshin e qytetit, pranë Bashkisë së Ëorcesterit, duke ia bërë atdheun më të afërt, 20 mijë shqiptarëve që jetojnë këtu.
Për çdo shqiptar të mërguar sot apo dekada më parë, ngritja e flamurit do të thotë nderim ndaj atdheut , nderim ndaj sakrificave të paraardhësve që shpallën Shqipërinë të pavarur, nderim ndaj çdo shqiptari që sot jep kontributin e tij modest për imazhin e Shqipërisë”.
Në shenjë mirënjohje, bashkësia e hebrenjve të qytetit, përmes z. Jesse Kaplan dorëzoi një çertifikatë për Shqipërinë dhe shqiptarët që ndihmuan hebrenjtë gjatë holokaustit. Me një vendim të veçantë, qyteti i Ëorcester e quan 28 Nëntorin, si Dita e Flamurit të Shqipërisë. Një çelës simbolik iu dhurua 100 vjeçarit Savo Gaba, si shenjë e emigrimit të hershëm të shqiptarëve, në Uorcester.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›