E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha i pandehur, Mjaft! kërkon largimin

Lëvizja Mjaft! kërkoi sot përsëri largimin e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha nga kabineti qeveritar, kërkesë e përforcuar edhe nga shpallja e ministrit të pandehur nga Prokuroria. Përmes një qëndrimi zyrtar, Mjaft! vuri theksin te humbja e legjitimitetit dhe aftësinë morale dhe publike të Bashës për të përfaqësuar vendin në nivel ndërkombëtar.

“Më në fund pamë një akt konkret nga ana e Prokurorisë në këto 18 vjet pluralizëm, i cili përbën një shembull model për hetimin e korrupsionit. Dëshmi e një procesi ligjor, transparent dhe publik - jo në nivelin e shantazheve të ndërsjella në sallën e Kuvendit, apo të spoteve patetike qeveritare”, tha aktivisti i Mjaft!, Leart Kola, gjatë konferencës për median. Kola shtoi se falë zbatimit të ligjit, shqiptarët sot kanë një ministër të pandehur, i pari në dy dekadat e fundit.

Lëvizja Mjaft! është e qëndrimit se mbetet ende shumë për të bërë, qoftë në rastin e Bashës, qoftë edhe të zyrtarëve të tjerë, përgjegjës për vepra kriminale, nën hetim, apo që ende nuk janë shënjestruar nga drejtësia. Është fakt që përgjatë historisë së pluralizmit shqiptar, nuk kemi parë të prangoset asnjë ministër apo ish ministër, pavarësisht akuzave për korrupsion ndërmjet partive dhe kërcënimeve të ndërsjella me “dosje sekrete”.Ndërkaq, mijëra shqiptarë në mbarë vendin kanë hedhur firmat në peticionin e realizuar nga Mjaft! për largimin e Bashës.

“Kjo lidhje perverse, nepotike e Kryeministrit me ministrin e tij të preferuar, duhet të marrë fund me dorëheqje ose shkarkim”, vërejti Kola, duke shtuar se “ne jemi të ndërgjegjshëm që largimi i Bashës, përveçse karakter politik ka edhe karakter të fortë estetik”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›