E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Balla: Përgjegjëse, Ministria e Jashtme

Tiranë- Një ditë pas raportit të monitorimit të Marrëveshjes për lehtësimin e vizave, deputeti socialist Taulant Balla ka bërë përgjegjëse Ministrinë e Jashtme, si institucionishqiptar për monitorimin e respektimin e saj.

Sipas detyrimeve që burojnë nga marrëveshja, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të kishte ngritur që më datë 1 janar 2008 një strukturë të posaçme për të verifikuar pretendimet e aplikantëve në rastet e refuzimit të vizave.

Duke iu referuar raportit të publikuar dje nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), Balla ka vërejtur me shqetësim shumë të madh se kjo Marrëveshje ka një implementim dhe respektim të dobët, për shkak se procedurat vazhdojnë të jenë të komplikuara dhe të pa harmonizuara ndërmjet konsullatave të ndryshme të vendeve Shengen në Tiranë.

Mënyra dhe kohëzgjatja e lënies së një takimi për intervistë, oraret e ndryshme të aplikimit, konvertimi i ndryshëm i tarifës së vizës prej 35 Euro që sanksionon Marrëveshja, ndërkohë që kostoja reale e aplikimit për vizë të një qytetari shqiptar shkon në rreth 9000 lekë, apo marrja e vendimit për dhënien ose jo të vizës vazhdojnë të mbeten problematika të paharmonizuara ndërmjet konsullatave Shengen.

Në krahasim me të gjitha vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, ka theksuar ai shqiptarët mbeten më të refuzuarit në dyert e ambasadave.

Balla ka kujtuar se shkalla e refuzimit të vizave për qytetarët shqiptarë vazhdon të mbetet rreth 26%, ndërkohë që mesatarja e Vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 14%.

Shqiptarët janë qartësisht më të privuarit në raport me qytetarët e vendeve të Ballkanit

Ai ka theksuar se ministria nuk ka akorduar burime të nevojshme njerëzore dhe financiare që merren drejtpërsëdrejti me problemet e aplikantëve për viza dhe të ofrojë më tepër mundësi informacioni për të gjithë kategoritë e personave. Sipas tij, ky institucion nuk ka ndërmarrë asnjë fushatë sensibilizuese dhe as të parashikojë në buxhetin e saj vjetor një zë të posaçëm në lidhje me informimin e qytetarëve.

“Është i domosdoshëm dhe urgjent krijimi i një sistem të dhënash për 18 kategoritë përfituese (personat bona-fede) nga Marrëveshja, pasi është e vështirë për një konsullatë Shengen në Tiranë të vlerësojë realisht se cilat nga Organizatat Jo-Fitimprurëse të regjistruara në përputhje me legjislacionin shqiptar, shoqatat e të përndjekurve politikë, shoqatat e gazetarëve, operatorët turistikë, etj. janë të besueshëm”- tha Balla.

Qeveria shqiptare, ka vazhduar më tej ai, duhet të veprojë me shpejtësi për përfundimin e procesit të krijimit të regjistrit të dixhitalizuar të gjendjes civile, të pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta me të dhëna biometrike të qytetarëve shqiptarë.

Balla i ka kërkuar konsullatave të vendeve Shengen në Tiranë, që në respektim të Marrëveshjes së Lehtësimit të vizave dhe të Konventës së Vjenës të zëvendësojnë linjat e komunikimit përmes numrave me vlerë të shtuar me linja fikse, çka do të ulte ndjeshëm koston e aplikimit për vizë.

Refuzimi i vizave

Shqipëri 26%

Serbi 13%

Maqedoni 11%

Mali i Zi 6%

B&H 4%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›