Korçë, 17-vjeçarja plagos me thikë kambistin
Korçë- E ka mashtruar, duke i thënë se kishte një shumë të madhe eurosh për të këmbyer, por e ka qëlluar me thikë, në tentativë për ta grabitur. Këtë radhë, nuk bëhet fjalë as për maska, e as për meshkuj, pasi ka qenë një adoleshente, nxënëse gjimnazi, autorja e një tentative grabitjeje dhe plagosjeje ndaj një kambisti në Korçë.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, kambisti i plagosur është 55-vjeçari Tahir Mëhalla, i cili është plagosur me thikë nga një 17 vjeçare me inicialet K.D.
Vajza, sipas policisë është nxënëse në shkollën e mesme "Themistokli Gërmenji" në këtë qytet. Sipas të dhënave të para adoleshentja arriti të tërheqë kambistin në një vend pa shumë kalimtarë, e më pas në një pallat, në përpjekje për ta grabitur, e qëlloi edhe me thikë.
Vetë i dëmtuari, pasi ka dalë nga spitali ka rrëfyer ngjarjen, duke pranuar se ka rënë pre e mashtrimiit të vazjës. Ai tregon se ajo i është afruar dhe i ka thënë se donte të këmbente një shumë prej 10 mijë eurosh.
Por, duke qenë një shumë e madhe, nuk i kishte me vete, pasi kishte frikë mos e vidhnin. Kambisti, thotë se e ka pyetur i habitur për gjithë ata shumë që kishte vajza, ndërkohë që ajo i është përgjigjur e bindur se paratë ia kishin dhënë të afërmit.
“E ndoqa vajzën nga pas, por në momente e rrugës ajo dukej paksa e hutuar. Jemi ngjitur në një pallat, që ndodhet në qendër të qytetit të korcës, në katin e tretë dhe teksa bënte të hapte çanën, pasi më tha që këtu është shtëpia ime, krejt papritur nxjerr një thikë me një teh 10 cm të gjatë dhe ma ngul në shpatull”- tregon ai.
Në këto kushte, edhe pse i plagosur ai e ka zënë për fyti dhe e ka nxjerrë nga hyrja. I ka kërkuar ndihmë një polici rrugor që ka parë në rrugë e më pas është njoftuar policia.
Sipas tij, të dy janë shoqëruar në polici, ndërkohë që ai më pas është transportuar në spital.
Nga ana e saj, policia ka hedhur dyshimet se vazja në gjithë këtë ka pasur bashkëpunëtor, por nuk bën me dije të tjera detaje. Sa për motivin, sipas policisë, medohet se është një tentativë grabitjeje.