E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha i shkruan Sheferit: Shqipëria, gati për në NATO

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha i ka dërguar dje një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ku i konfirmon interesin e qeverisë shqiptare për t'u bërë zyrtarisht pjesë e Aleancës. 

 Ministri Basha siguron sekretarin e Përgjithshëm Scheffer për vullnetin e Shqipërisë për të pranuar të gjitha detyrimet dhe angazhimet që lindin nga Traktati i Atlantikut të Veriut. "Shqipëria bashkohet me Konceptin Strategjik të NATO-s për sigurinë dhe mbrojtjen, synon të marrë pjesë plotësisht në strukturat ushtarake dhe planifikimin e mbrojtjes kolektive të Aleancës dhe të angazhojë forca dhe kapacitete për të marrë pjesë në të. Shqipëria është e gatshme gjithashtu të vërë në dispozicion burimet e nevojshme financiare për realizimin e angazhimeve menjëherë pas anëtarësimit me të drejta të plota në Aleancë. Ajo njeh dhe pranon faktin që, Aleanca bazohet në pikëpamjet e përbashkëta të arritura nëpërmjet konsensusit dhe do të punojë për konsensusin brenda Aleancës", thuhet në letrën e kreut të diplomacisë shqiptare. Me nënshkrimin e Protokolleve të Anëtarësimit, ministri Basha e siguron edhe një herë sekretarin e Përgjithshëm dhe Aleancën se, Shqipëria do të vazhdojë e vendosur në rrugën e pakthyeshme të reformave, për të rritur më tej kontributin e saj në Aleancë në mbështetje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në zonën Euro-Atlantike dhe më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›