E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha kërkon kryesimin e OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2012



Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka kërkuar gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve të OSBE-së që Shqipëria të marrë kryesimin e OSBE-së në vitin 2012. Në këtë takim të rëndësishëm, Lulzim Basha mbajti një fjalë gjatë së cilës theksoi rolin e OSBE-së në sistemin e sigurisë në Europë dhe konfirmoi edhe një herë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të marrë Kryesinë e Radhës së OSBE-së në vitin 2012, si dhe u ndal në zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Në mbështetje të kandidaturës shqiptare për Kryesinë e OSBE-së për vitin 2012, Basha theksoi se Shqipëria ka dëshmuar se tashmë ka ndërtuar kapacitetet e nevojshme për një kontribut të tillë, bazuar në një përvojë disavjeçare, të ndërtuar gjatë pjesëmarrjes dhe drejtimit të suksesshëm në disa forume të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare. Ai shtoi se tradita jonë shekullore e dialogut dhe mirëkuptimit fetar e kulturor do të përbëjë një vlerë të shtuar për Kryesinë e Organizatës. Duke u ndalur te zhvillimet në Kosovë, Basha nënvizoi progresin e bërë gjatë 10 muajve të fundit, sidomos në drejtim të ndërtimit të një shteti demokratik dhe multietnik, në përputhje me planin “Ahtisaari”. “Pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar rajonin tonë”, - theksoi ministri Basha. Në vijim, ministri Basha vuri në dukje se të gjitha vendet e rajonit po bëjnë progres të dukshëm në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ai shtoi se perspektiva europiane dhe euroatlantike e Ballkanit Perëndimor, të qëndrueshëm dhe në paqe, nuk ka qenë kurrë kaq e qartë. Në fund të fjalës së tij, Basha uroi Kryesinë greke të OSBE-së për vitin 2009, si dhe siguroi për mbështetjen e Shqipërisë në zbatimin e prioriteteve të saj.

PLL: “Qeveria të luftojë monopolet në tregun shqiptar”

Partia Lëvizja e Legalitetit ka shprehur shqetësimin nëpërmjet një deklarate për shtyp për çmimet e larta në tregun shqiptar, veçanërisht për karburantet, drithërat dhe nënproduktet e tyre. Drejtues të kësaj partie bëjnë të ditur se kjo situatë është krijuar për shkak të ekzistencës së monopoleve në tregun shqiptar dhe për këtë arsye i bën thirrje qeverisë që të marrë masa për të luftuar këto monopole që mbajnë çmimet e larta. “PLL vëren me shqetësim fenomenin e mbajtjes së çmimeve të larta në tregun shqiptar, ku si më shqetësuese shikojmë çmimet e karburanteve, drithërave dhe nënprodukteve të tyre. Ndërkohë që çmimi i tyre në tregun botëror ka pësuar një ulje drastike, në tregun e brendshëm ato vazhdojnë të tregtohen pothuajse me çmimet e mëparshme. Sipas pikëpamjes sonë, klima e re e krijuar prej qeverisë, për liberalizimin e licencave dhe krijimin e lehtësive të tjera për hyrjen e bizneseve në treg, nuk ka ndikuar aq sa duhet për mënjanimin e oligo-poleve që ekzistojnë në këta sektorë. Si një parti thellësisht e bindur në epërsinë e ekonomisë së tregut, PLL nuk mund të pranojë që në demokracinë tonë të re ky sistem të njolloset nga lakmia e atyre që kanë siguruar pozita monopol dhe nxit qeverinë që të marrë masa radikale për përmirësimin e kësaj gjendjeje”, - bëhet e ditur në deklaratën për shtyp të kësaj partie.

6 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›