E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi, formula që joshi PR-në dhe PSD-në tu bashkohen koalicioneve të dy partive të mëdha



Shaban Sulçe

Hartueset e Kodit të ri Zgjedhor, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, duket se kanë gjetur një mënyrë shumë të mirëllogaritur për të joshur rreth vetes partitë aleate që do t’i bashkohen koalicioneve të drejtuara prej tyre. Formula e sanksionuar në Kodin e ri Zgjedhor për numërimin e votave dhe shpërndarjen e mandateve brenda koalicioneve ka nxitur parti të tilla si Partia Republikane dhe Partia Social-Demokrate që t’u bashkohen pa ngurrim respektivisht koalicioneve të drejtuara nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Në Kodin e ri Zgjedhor përcaktohen dy mënyra për numërimin e votave: formula d'Hondt për garën midis koalicioneve dhe Sainte-Laguv për ndarjen e mandateve të deputetëve ndërmjet partive që bëjnë pjesë në koalicione. Kjo ndërthurje formulash favorizon jo vetëm dy partitë e mëdha, por edhe partitë e vogla aleate, si PSD dhe PR, të cilat do të përfitojnë një numër të konsiderueshëm mandatesh nga mënyra se si do të shpërndahen ato brenda koalicionit.

Formulat

Partia Social-Demokrate dhe Partia Republikane kanë qenë ndër partitë kryesore të vogla, të cilat kundërshtuan disa muaj më parë marrëveshjen e PS-së dhe PD-së për të sanksionuar në Kushtetutë sistemin proporcional rajonal në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Por si PSD-ja, ashtu edhe PR-ja, pranuan të parat që të deklaronin gatishmërinë e tyre për të qenë pjesë e koalicionit të drejtuar nga dy partitë e mëdha. Por, për të kënaqur ambiciet dhe pretendimet e këtyre partive, hartuesit e Kodit Zgjedhor e kanë gjetur pikërisht zgjidhjen te ndërthurja e metodës d’Hondt me formulën Sainte-Laguv për mënyrën e numërimit të votave dhe shpërndarjen e mandateve. Formula d’Hondt favorizon partitë e mëdha politike, ndërsa Sainte-Laguv ato të vogla. Por falë këtij kombinimi, hartuesit e Kodit kanë zgjidhur dy probleme në të njëjtën kohë. Ky kombinim formulash i detyron partitë e vogla, si PSD-në dhe PR-në, që t’u bashkohen koalicioneve. Nga ana tjetër, ky kombinim formulash penalizon parti të tilla si LSI-ja dhe PDK-ja, të cilat do të konkurrojnë në koalicione më vete, jashtë koalicioneve të dy partive të mëdha.

PSD dhe PR

“Leverdia” e Partisë Social-Demokrate dhe e Partisë Republikane për t’u bashkuar me koalicionet e dy partive të mëdha merr shkas nga përllogaritjet e mandateve të deputetëve, që buron nga aplikimi i sistemit proporcional rajonal dhe mënyrës së votimit që është përzgjedhur. Siç dihet, në zgjedhjet e ardhshme do të votohet me një fletë votimi, vetëm për një parti dhe vota e gjithsecilës prej partive do të mblidhet për të nxjerrë rezultatin përfundimtar të koalicionit që ato bëjnë pjesë. Kjo mënyrë votimi konsiderohet pozitive, pasi përveçse grumbullon vota nga të gjitha partitë për koalicionin, do të shpalosë edhe forcat dhe peshën reale të secilës prej partive përbërëse në koalicion. Mandatet e deputetëve, të fituara nga një koalicion në një qark të caktuar, shpërndahen mes partive përbërëse në bazë të përqindjes së marrë. Në koalicionin e udhëhequr nga PS-ja, Partia Social-Demokrate mund të konsiderohet e favorizuar nga kjo skemë, pasi ajo është forca e dytë më e madhe e këtij koalicioni, në të cilin pritet të bëjnë pjesë gjithashtu PDS-ja dhe PBDNJ-ja. Në shumë qarqe, PSD-ja e Gjinushit ka një elektorat të qëndrueshëm dhe ku pavarësisht se numri i votave nuk do të jetë i mjaftueshëm për të kaluar pragun elektoral, ajo mund të sigurojë marrjen e të paktën një deputeti, falë tepricave të votave nga Partia Socialiste. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Partinë Republikane. PR-ja konsiderohet si forca e dytë e koalicionit që pritet të drejtojë Partia Demokratike, në të cilin pritet të bëjë pjesë gjithashtu edhe PAD-ja, PLL-ja etj. Në shumë qarqe, PR-ja mund të sigurojë mandat deputeti edhe kur nuk ka arritur përqindjen e mjaftueshme falë tepricave të votave nga Partia Demokratike.

Braçe: “Ligji i kazinove, për interesat politike të Sali Berishës”

Partia Socialiste ka denoncuar miratimin në Kuvend të ligjit “Për kazinotë”. Sipas nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ky ligj është kriminal, korruptiv dhe i shërben interesave politike dhe ekonomike të kryeministrit Berisha dhe klanit të tij. Dua të përsëris edhe njëherë sot se ligji që është në diskutim në Kuvendin e Shqipërisë më iniciativë të kryeministrit Sali Berisha dhe me ndikimin e drejtpërdrejtë për ta miratuar atë në kohë rekord, është korruptiv, është klientelist dhe është kriminal. Është kriminal pasi liberalizon totalisht biznesin e bixhozit duke garantuar përhapjen e tij në çdo cep të vendit, nga Tropoja e tij deri në Konispol, kur dihet se ky biznes, ashtu siç edhe biznesi tjetër me tregtinë e armëve dhe municioneve, nuk është si biznesi i energjisë fjala bie, madje nuk është as si biznesi tashmë shumë i përhapur i zyrave juridike në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ligji është kriminal pasi nuk vendos kufizime në hapësirë për përhapjen, apo kufizime në CV-në penale të biznesmenëve apo bizneseve, shoqërive që licencohen në biznesin e bixhozit. Nuk vendos kufizime në moshën e lojtarëve apo edhe në moshën e të punësuarve në këtë biznes që njihet si biznesi i vesit. Madje në mënyrë kriminale mosha e lojtarëve dhe mbi të gjitha mosha e të punësuarve në këtë biznes vesi ulet nga 21 vjeç në 18 vjeç”, - tha Braçe.

6 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›