Qeveria vendos thjeshtimin e procedurave: 7 ditë për të regjistruar pronën
Kryeministri Berisha ka mbledhur dje Task Forcën për Reformën Rregullatore ku ka vendosur që të shkurtohet afati për regjistrimin e pronës private. Sipas kryeministrit Berisha, tashmë për të regjistruar një pronë në hipotekë do të duhen vetëm 7 ditë nga 30 që është aktualisht. Po kështu, kryeministri Berisha gjatë fjalës së mbajtur në këtë mbledhje ka bërë të ditur se do të thjeshtohen procedurat dhe do të lehtësohet dokumentacioni i nevojshëm për të regjistruar pronën në hipotekë.
Në mbledhjen e Task Forcës për Reformën Rregullatore u diskutua gjerësisht edhe mbi ecurinë e punës së bërë për legalizimin e procedurave, duke theksuar domosdoshmërinë e lehtësimit të mëtejshëm të procedurave të panevojshme, si dhe uljen e kostos për biznesin. Ndër të tjera u diskutua dhe u vendos përgjysmimi i dokumentacionit të kërkuar për procedurat e zhdoganimeve për importet dhe eksportet. U diskutua gjithashtu për procedurat e regjistrimit on-line të biznesit, si një tjetër hap për thjeshtimin e të bërit biznes në Shqipëri dhe luftën kundër korrupsionit.
6 Dhjetor 2008