E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Në janar nis shpërndarja e kartave të identitetit



Qeveria i kundërpërgjigjet shqetësimit të Partisë Socialiste në lidhje me shpërndarjen e kartave të identitetit, të cilat, siç dihet, kanë një rëndësi shumë të madhe për mbarëvajtjen dhe zhvillimin normal të procesit të ardhshëm zgjedhor. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, ka deklaruar dje se brenda muajit janar 2009 do të nisë aplikimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit sipas standardeve të kërkuara. Sipas zëvendësministrit Pone, Qendra e Personalizimit, e cila do të merret me shpërndarjen e kartave dhe pasaportave biometrike, do të funksionojë nëpërmjet një network-u, që do të jetë dhe pika që do të mbledhë të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, të cilët do të pajisen me këto dokumente. Bazuar në skemën e këtij procesi, 400 zyra do t’i atashohen zyrave të Gjendjes Civile në të gjithë vendin, të cilave do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve për të plotësuar formularët për pajisjen me dokumentet e identifikimit, duke marrë për bazë të dhënat nga regjistri elektronik themeltar i shtetasve shqiptarë, që sapo ka përfunduar. Sipas skemës, çdo qytetar do të plotësojë një formular për pajisjen me letërnjoftim dhe pasaportë dhe do të depozitojë në sistem shenjat e gishtave dhe njëkohësisht fotografinë biometrike. Të gjitha këto të dhëna do të transferohen on-line nga zyrat përkatëse pranë kësaj qendre. Sistemi, që sipas zyrtarëve, pritet të instalohet brenda muajit dhjetor, është i aftë që brenda 10 sekondave të bëjë përpunimin e të dhënave të çdo qytetari, të verifikojë dhe konfirmojë këto të dhëna. Në rast se të dhënat janë të rregullta, ato i kalojnë automatikisht sektorit të prodhimit të letërnjoftimit dhe të pasaportës biometrike, prodhim i cili nuk zgjat më shumë se dy ose tri ditë, sipas sistemit për të shkuar më pas në dorën e qytetarit. Sipas zëvendësministrit Pone, kapaciteti i kësaj qendre do të jetë shpërndarja deri në 15 mijë karta identitetit në ditë. Çmimi i tyre do të jetë 1200 lekë, ndërsa pasaporta do të kushtojë 5 mijë lekë.

6 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›