Kodi Zgjedhor dhe çështja “Basha” tensionojnë PD-në me Topin
Deputetë të PD-së e cilësojnë të papranueshëm fjalorin që përdoret ndaj Presidentit
Dy çështjet delikate të politikës që po krijojnë një “luftë të ftohtë”
Eljona Ballhysa
Dy çështjet delikate të politikës së momentit kanë rikthyer edhe një herë “luftën e fohtë” midis Partisë Demokratike dhe Presidentit Topi. Rikthimi në Kuvend i Kodit Zgjedhor nga Presidenti i Republikës ka nxitur reagime të ashpra nga eksponentë të lartë të Partisë Demokratike. Por edhe për çështjen “Basha” zëra nga PD-ja kanë aluduar se Presidenti Topi po ndikon negativisht kundër ish-ministrit të Transporteve. Duke patur parasysh reagimin më të qetë që ka ardhur nga kampi i majtë për rikthimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend, qëndrimi i PD-së duket si një sulm i hapur i vazhdueshëm kundrejt kreut të shtetit. Deputetë të ndryshëm të PD-së pranojnë nën zë se fjalori që përdoret nga kolegët e tyre ndaj kreut të shtetit është i papranueshëm. Kjo dhe për faktin se duhet të respektohet figura e Presidentit të Republikës si simbol i unitetit të kombit dhe garant i Kushtetutës. Madje, dhe reagimin e kryetares së Kuvendit për rikthimin e Kodit e kanë cilësuar të pavend për shkak se sipas tyre roli i Presidentit është që të garantojë respektimin e Kushtetutës edhe kur bëhet fjalë për çështje teknike.
Reagimet
Dy deputetë të PD-së, ndryshe nga qëndrimi i grupit parlamentar, e kanë cilësuar me vend kthimin e Kodit nga Presidenti i republikës për rishqyrtim në Kuvend. Deputeti demokrat Dashnor Sula është shprehur dje se vendimi i Presidentit për të mos dekretuar Kodin është i drejtë dhe ka si qëllim shmangien e përplasjeve midis Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës. Sipas tij, kreu i shtetit nëpërmjet këtij veprimi ka kërkuar të jetë korrekt me ligjin qoftë edhe për një çështje teknike. Më tej, Sula bëri të ditur se sugjerimet e Presidentit do të diskutohen javën e ardhshme në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Pritet që përfaqësuesit e PD-së dhe të PS-së të hartojnë një dispozitë kalimtare, e cila të parashikojë përcaktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare. Ndërkohë që nenet e kontestuara nga Presidenti Topi nuk do të ndryshojnë. Edhe deputeti tjetër i PD-së, Besnik Mustafaj, i ka konsideruar të tepruara reagimet e eksponentëve të ndryshëm të PD-së kundër veprimit të Presidentit.
Çështja “Basha”
Deputetë të ndryshëm të PD-së kanë sulmuar kreun e shtetit edhe për çështjen “Basha”. Sipas tyre, Presidenti Topi po ndikon në organin e Prokurorisë së Përgjithshme që të vazhdojnë hetimet e njëanshme ndaj ish-ministrit të Transporteve, Basha. Por edhe kjo çështje duhet se ka përçarë qëndrimet brenda Grupit Parlamentar të PD-së, pasi të tjerë deputetë nën zë shprehen kundër këtyre qëndrimeve Por duket se Grupi i PD-së tashmë ka rënë në heshtje. Gjithnjë e më shumë po vihet re mungesa e zërave kritikë. Kjo dhe për faktin se ndodhemi vetëm pak muaj larg zgjedhjeve parlamentare dhe të gjithë janë vënë në rresht për të përkrahur sa më shumë vendimet dhe urdhrat e kryetarit të partisë për të zënë një vend në listë për kandidat për deputet. Ajo që vihet re është situata e tensionuar midis PD-së dhe Presidentit Topi. Një situatë e ngjashme ka ndodhur pak muaj më parë kur Kuvendi rrëzoi dekretet e Topit për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
6 Dhjetor 2008