Dervishaj: “Mocioni për shkarkimin e Ramës, kërkesë joserioze e këshilltarëve të PD-së”
Sekretari për Çështjet e Brendshme në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe njëkohësisht kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, e cilësoi aspak serioze kërkesën e këshilltarëve bashkiakë të PD-së për shkarkimin e kreut të Bashkisë, Edi Rama. Dervishaj tha se ky mocion nuk është gjë tjetër veçse një teatër politik i PD-së dhe PS-së në kurriz të qytetarëve. “Ne e kemi bërë shumë të qartë qëndrimin tonë si LSI, që kjo na duket pak demagogjike dhe pak e stisur, sepse qeveria e maxhorancës, e cila është në minorancë në Këshill, i ka të gjithë mekanizmat e nevojshëm të kontrollit në duart e saj për të zbatuar dhe respektuar ligjin, duke kontrolluar dhe veprimtarinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës në këtë rast. Ligji parashikon mënyrat se si shkarkohet kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ai shkarkohet nga Këshilli i Ministrave në rastet kur ai e shkel rëndë Kushtetutën e vendit, kur ai nuk zbaton ligjet e vendit. Dhe, në një prej pikave të nenit 42 të Ligjit 8652, që është ligji organik që rregullon funksionimin e pushtetit vendor dhe të Bashkisë së Tiranës në rastin konkret, përcaktohet se Këshilli Bashkiak ka si kompetencë të tij t’i kërkojë Këshillit të Ministrave shkarkimin e kryetarit të Bashkisë në rastet kur ai nuk paraqitet tre muaj në mënyrë të pandërprerë në detyrë. Pra shqetësimi ka gjetur mbështetje dhe është një shqetësim i drejtë, por rruga për të shkarkuar kryetarin e Bashkisë është një rrugë e padrejtë, pasi vetë maxhoranca qeverisëse, grupi i këshilltarëve të së cilës në Këshillin Bashkiak gjatë gjithë kësaj kohe dhe gjatë gjithë këtyre mbledhjeve, në mënyrë shumë të përzemërt me grupin e këshilltarëve socialistë kanë bashkuar votat për të marrë vendime, të cilat shpeshherë kanë rënë ndesh me ligjin dhe me interesat e komunitetit të gjerë të Tiranës, sikurse ishte mbledhja e parafundit, kur u mor vendimi për parkingjet nëntokësore, por dhe një mori vendimesh të tjera që nuk janë zhvilluar me transparencën e nevojshme dhe nuk janë konsultuar me komunitetin, në mënyrën e nevojshme”, - tha Dervishaj.
6 Dhjetor 2008