E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha kërkon shtyrjen e mandatit të OSBE-së deri në 2012-n



Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, gjatë vizitës së zhvilluar në Selinë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, kërkoi shtyrjen e mandatit të kësaj organizate në Tiranë. Madje, ministri Basha kërkoi që Shqipëria të marrë kryesimin e OSBE-së në vitin 2012. Një kërkesë e tillë e ministrit Basha tregon që qeveria shqiptare ka bërë një hap mbrapa kundrejt politikës së ndjekur ndaj OSBE-së. Pak kohë më parë, qeveria shqiptare tregoi ngurrim në ripërtëritjen e mandatit të prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Gjatë fjalës së mbajtur në Selinë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, në Vjenë, Basha vlerësoi rolin e kësaj organizate duke e konsideruar atë një forum thelbësor diskutimi, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, pjesë e rëndësishme e sistemit të sigurisë europiane e më gjerë dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar kontributin e saj në drejtim të promovimit të vlerave të Organizatës. Në vijim të fjalës, ministri i Punëve të Jashtme informoi Këshillin e Përhershëm për ecurinë e reformave në vend dhe rezultatet e deritanishme të Shqipërisë në fushën ekonomike dhe në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duke u ndalur te reforma elektorale, Basha i njohu ambasadorët e akredituar pranë OSBE-së me zhvillimet më të fundit në lidhje me ecurinë e punës për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe të infrastrukturës zgjedhore.
Më pas, në emër të qeverisë së Shqipërisë, Basha ftoi ODIHR-in që të dërgojë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve, për të monitoruar zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. Ai, gjithashtu, vlerësoi kontributin e OSBE-së në mbështetje të zhvillimeve demokratike të vendit dhe siguroi se Shqipëria është e angazhuar të vazhdojë bashkëpunimin e frutshëm me organizatën.

Alibali: “Të zgjidhet drejt çështja e kthimit dhe kompensimit të pronës së ligjshme”

Nënkryetari i Partisë Republikane, Neritan Alibali, ka vlerësuar dje në emër të PR-së Progres-Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ndërsa ka kërkuar se është e nevojshme që të zgjidhet drejt çështja e kthimit dhe kompensimit të pronës së ligjshme. “Partia Republikane përshëndet Progres-Raportin e Delegacionit të Komisionit Europian për Shqipërinë për periudhën tetor 2007 – tetor 2008. Partia Republikane gjykon se ky progres-raport është realist dhe objektiv si në vlerësimet pozitive për progresin e arritur në të 36 sektorët e cituar, por edhe në rekomandimet për vijimësinë e reformave që ne duhet të ndjekim deri në përmbushje të të gjitha detyrimeve politike dhe ekonomike të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, - është shprehur Alibali. Sipas tij, Partia Republikane i sheh konstruktive rekomandimet për nevojën e zgjidhjes së drejtë të çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronës së ligjshme, mundësimin e zgjedhjeve të lira e të rregullta, sipas standardeve të BE-së, si dhe thellimin e reformës në gjyqësor.
“Partia Republikane i bën thirrje opozitës që të mos e shohë këtë progres-raport me nihilizëm e prirje të sëmurë për të nxirë edhe sukseset e dukshme e të vlerësuara nga ndërkombëtarët”, - është shprehur Alibali.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›