E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha kryebashkiak, ja rruga procedurale pas vendimit të Kolegjit

SHKRUAN: Fejzi Braushi 07-06-2011 10:37

Në rast se Kolegji Zgjedhor do të rrëzojë sërish kërkesën e Partisë Socialiste, përsa i përket rezultatit të Tiranës, atëherë kandidati demokrat Lulëzim Basha do të jetë në mënyrë direkte fitues i zgjedhjeve për kryetar bashkie, pa qenë e nevojshme që të shpallet nga KQZ. Kjo pasi Kodi Zgjedhor ia jep të drejtën e shpalljes së fituesve për drejtuesit e njësive vendore KZAZ-ve, çka në rastin e garës së Tiranës rezulton të jetë kryer nga KQZ në rolin e KZAZ-së që në datë 23 maj. Por para se të marrë zyrtarisht karrigen e kryetarit të bashkisë, cilido nga kandidatët që janë në këtë garë, në bazë të ligjit për pushtetin vendor do duhet që më parë t’i drejtohet dhe një herë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, për të zyrtarizuar në mënyrë formale ligjshmërinë e zgjedhjes së tij dhe më pas të bëj betimin para këshillit bashkiak.

Kodi

Shpallja e Lulëzim Bashës si fitues të ri të Bashkisë së Tiranës nuk kërkon më votim nga KQZ dhe për rrjedhojë, as sigurimin e 5 votave. Ka qenë vet kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ai që ka konfirmuar se në rastin e kandidatit Basha, KQZ nuk është më e nevojshme që të investohet në një tjetër vendimmarrje për ta shpallur atë fitues, pasi e ka bërë një herë atë kur miratoi listën përmbledhëse të rezultatit për gjithë Tiranën. Të njëjtën gjë kanë konfirmuar edhe burime të tjera të së djathtës, të cilët të pyetur dje lidhur me këtë çështje, kanë bërë të ditur se ligji zgjedhor ia jep të drejtën e shpalljes së fituesve për kryetar të njësive vendore KZAZ-ve dhe jo KQZ-së. Në rastin e Tiranës, për shkak të specifikës së veçantë që ka kjo njësi vendore, rolin e KZAZ-së për shpalljen e fituesit e ka kryer KQZ, në vendimin 711, kur miratoi tabelën përmbledhëse të rezultateve në Tiranë. Një gjë e tillë vërtetohet edhe nga vet Kodi Zgjedhor, i cili në nenin 33 të tij, kur flet për kompetencat dhe detyrat e KZAZ-së, përcakton se “shpall kandidatët fitues për kryetar të njësisë vendore”. Ndërkohë që neni 122 përcakton se “Për zgjedhjet e Kryetarit dhe Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës, KZAZ-ja miraton Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve të Qendrave të Votimit të njësisë bashkiake përkatëse. Kopja origjinale e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve dhe Tabelat e Rezultateve për çdo qendër votimi i dërgohen KQZ-së, për të nxjerrë rezultatin”. Një procedurë që pretendohet se është kryer nga KQZ, pikërisht me vendimin 711. I vetmi rast që do të kërkonte një ndërhyrje të re të KQZ-së do të ishte një vendimmarrje pozitive e Kolegjit për kërkesën e re të PS-së.

Betimi

Me mbarimin e gjykimeve nga Kolegji Zgjedhor, kandidati që do të rezultojë në fund fitues do të duhet t’i drejtohet KQZ, por jo për ndonjë vendim, por vetëm për të tërhequr dokumentacionin e nevojshëm që vërteton zgjedhjen e tij. Kështu në bazë të ligjit “Për pushtetin vendor”, kandidati fitues paraqitet para KQZ-së dhe kërkon prej këtij të fundit një vërtetim për shpalljen e tij si fitues i zgjedhjeve në Tiranë. Gjithashtu atij i vihet në dispozicion dhe vendimi përkatës i KQZ-së, si dhe çdo vendimmarrje e Kolegjit Zgjedhor që ka lidhje me zgjedhjen e tij. Më pas, ligji parashikon që kandidati fitues me dokumentacionin e marrë nga KQZ-ja, i drejtohet një gjyqtari të vetëm në Gjykatën e Tiranës për të vlerësuar në mënyrë krejt formale ligjshmërinë e zgjedhjes së tij. Me vendimin e vlerësimit të ligjshmërisë së dokumentacionit të paraqitur, kandidati fitues i drejtohet sekretarit të bashkisë, i cili nga ana e vet organizon thirrjen e Këshillit Bashkiak, duke caktuar datën përkatëse të konstituimit të tij dhe ku natyrisht bëhet dhe betimi i kryebashkiakut të ri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›