E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji, Ndreca: Ka ende kohë për zbardhjen e vendimit

Kreu i trupës së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, që rrëzoi të premten e kaluar kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, ka folur për herë të parë për median që prej atij momenti. Tom Ndreca tha në një intervistë për radion gjermane “Dwelle”, se situata zgjedhore pëson ndryshime dhe lindin fenomene, që kërkojnë zgjidhje. Ndreca sqaroi se ka ende kohë që të shpallet zbardhja e vendimit për rrëzimin që Kolegji i bëri kërkesës së PS, duke hedhur kështu poshtë pretendimet e opozitës se afati ka skaduar. “Ka ende kohë që Kolegji Zgjedhor të dalë me një vendim. Ne po punojmë me kapacitete të plota, që të mundësojmë argumente të plota dhe të qarta për publikun. Vendimi do publikohet sa më shpejt”, sqaroi Ndreca. Në arsyetimin e tij, kreu i trupit gjykues bëri të ditur se afati i zbardhjes së vendimit llogaritet sipas Kodit Civil, ku siç përmendi ai, “nuk llogariten ditët e pushimit”. Sakaq, në analizën e tij për vendimmarrjen, Ndreca tha se Kolegji Zgjedhor bëri një zgjidhje profesionale dhe të mbështetur në legjislacionin e Shqipërisë, kur rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste. Sipas tij, Kolegji Zgjedhor gjykoi që akti normativ i KQZ nuk kishte të bënte më gjithë territorin e Shqipërisë, por vetëm me një njësi zgjedhore, atë të Tiranës dhe si i tillë nuk krijonte një normë për gjithë vendin. “Akti normativ i KQZ, për numërimin e votave të kontestuara nuk ishte përfundimtar, pasi ai bëri vetëm korrigjimin e tabelave të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor të Tiranës”, këmbëngul Ndreca. Në vlerësimin e mëtejshëm të tij “thembra e Akilit”, në procesin e numërimit është natyra partiake e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, KZAZ-ve. “Procesi i numërimit po stonon, po zgjatet. Grupet e numërimit dhe nivelet e administrimit të këtij procesi nuk duhet të jenë partiake, duhet gjetur një formë tjetër, jo partiake, ndoshta forma elektronike, si e kanë vendet e Bashkimit Europian”, sugjeron Ndreca. Komisioni dhe Parlamenti Europian janë treguar të gatshme të japin ekspertizë ligjore, për të zgjidhur problematikën që nxorën zgjedhjet lokale të 8 majit. Kolegji Zgjedhor vendosi të premten e kaluar rrëzimin e kërkesë-padisë së bërë nga Partia Socialiste, për shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit numër 709, datë 23 maj 2011, të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndreca në emër të trupit gjykues deklaroi se pushohet edhe gjykimi i çështjes me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme nga pala e paditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Bazuar mbi këtë vendimmarrje mbetet në fuqi numërimi dhe tabela e miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që e njeh kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha, si fitues të garës për Bashkinë e Tiranës. Dy ditë më parë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delagacionit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi, i kërkuan aktorëve politikë të respektojnë zërin e qytetarëve. “U njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore. Është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak”, thuhej në njoftimin e tyre të përbashkët. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›