“Hiq dorë nga presioni ndaj institucioneve të pavarura”

PD, apel Edi Ramës
Partia Demokratike reagoi dje ndaj sulmeve dhe akuzave të shprehura nga kreu i socialistëve Edi Rama ndaj institucioneve zgjedhore si dhe gjykatave të vendit. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e selisë blu Albana Mustafaraj i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të heqë dorë nga shantazhi dhe presioni ndaj institucioneve të pavarura dhe të pranojë funksionimin e shtetit ligjor.
“Me gjithë detyrimin e çdo politikani, por edhe thirrjet e përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për të respektuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese demokratike të Shqipërisë, vendimet e tyre dhe shtetin ligjor, Edi Rama vazhdon çdo ditë me presione dhe kërcënime dhe deklaron se nuk njeh vendimet e tyre”, tha zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj.
Mustafaraj siguroi se PD do të presë me durim dhe respekt vendimet e institucioneve të pavarura të vendit.
“Çdo përpjekje për të përbaltur procesin dhe shumë më keq edhe për të kërcënuar Kolegjin Zgjedhor, është tërësisht e pavend dhe vetëm fakton motivet e vërteta të këtij qëndrimi absurd dhe agresiv”, tha ajo.
Sipas saj, “Edi Rama duhet të sqarojë se përse nuk dëshiron numërimin e çdo vote, por kërkon të mbysë zërin e qytetarëve. Partia Demokratike duke i kërkuar z. Rama, të heqë dorë nga shantazhi dhe presioni ndaj institucioneve të pavarura, dhe të pranojë funksionimin e shtetit ligjor, i drejton atij pyetjet: Përse ju z. Rama, nuk dëshironi numërimin e çdo vote? Përse z. Rama doni të mbysni zërin e qytetarëve?”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.