E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kolegji Zgjedhor, vendim profesional dhe të mbështetur në legjislacionin e Shqipërisë”

07-06-2011 / Gazeta 55

Flet gjyqtari Tom Ndreca

Tom Ndreca, relatori që kryesoi trupën e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi të premten e kaluar kërkesën ankimore të PS, hedh poshtë pretendimet e socialistëve për shkelje të ligjit me mosparaqitjen e argumenteve. “Situata zgjedhore pëson ndryshime dhe lindin fenomene që kërkojnë zgjidhje”, ka deklaruar Ndreca për programin shqip të “DW”. “Kolegji Zgjedhor bëri një zgjidhje profesionale dhe të mbështetur në legjislacionin e Shqipërisë kur rrëzoi kërkesën ankimore të PS. Kjo, pasi Kolegji Zgjedhor gjykoi që akti normativ i KQZ nuk kishte të bënte më gjithë territorin e Shqipërisë, por vetëm me një njësi zgjedhore, atë të Tiranës dhe si i tillë nuk krijonte një normë për gjithë vendin”, ka sqaruar Ndreca.
Sipas tij, akti normativ i KQZ për numërimin e votave të kontestuara nuk ishte përfundimtar, pasi ai bëri vetëm korigjimin e tabelave të KZAZ-ve të Tiranës. Ndreca mendon se “thembra e Akilit” në procesin e numërimit është natyra partiake e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, KZAZ-ve.
“Procesi i numërimit po stonon, po zgjatet. Grupet e numërimit dhe nivelet e administrimit të këtij procesi nuk duhet të jenë partiake, duhet gjetur një formë tjetër, jopartiake, ndofta forma elektronike, si e kanë vendet e BE”, ka nënvizuar Ndreca.
PS depozitoi dje në Kolegjin Zgjedhor kundërshtimin e saj për ndryshimin nga ana e KQZ të tabelës përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve lokale të 8 majit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Padia, që PS depozitoi në Kolegjin Zgjedhor kundër KQZ vjen pas rrëzimit që ky Kolegj i bëri të premten e kaluar, më 3 qershor, kërkesës së kësaj partie, për të quajtur të pavlefshëm aktin normativ të KQZ, në bazë të të cilit u vlerësuan votat e kontestuara, të hedhura në kutitë e gabuara. Nga numërimi i tyre Lulzim Basha doli fitues më 81 vota më shumë se Edi Rama, kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës, i koalicionit opozitar “Aleanca për të Ardhmen”.   
Kësisoj, Damian Gjiknuri, deputet dhe ekspert ligjor i PS, thotë për programin shqip të DË se nisur nga vendimi që Kolegji Zgjedhor mori të premten e kaluar, ai nuk është shumë optimist për një pranim të padisë së sotme, që kundërshton  ndryshimin nga KQZ të tabelës së rezultateve përfundimtare për kryetarin e bashkisë së Tiranës.
 “Nuk jam shumë optimist për mënyrën sesi shkuan gjërat në Kolegjin Zgjedhor. Ne kërkuam ekspertizë ndërkombëtare, të Komisionit të Venecias, por kjo nuk u pranua nga PD. Pse? Kjo na bën të mendojmë se ka një përpjekje të PD për të mos pranuar asnjë lloj konsulence ndërkombëtare në këtë drejtim, pasi ekspertët ndërkombëtarë do të konstatonin shkelje të rënda ligjore”, thotë z. Gjiknuri.
Por gjyqtari Tom Ndreca, mendon ndryshe.
“Situata zgjedhore pëson ndryshime dhe lindin fenomene, që kërkojnë zgjidhje. Kolegji Zgjedhor bëri një zgjidhje profesionale dhe të mbështetur në legjislacionin e Shqipërisë, kur rrëzoi kërkesën ankimore të PS. Kjo pasi Kolegji Zgjedhor gjykoi që akti normativ i KQZ nuk kishte të bënte më gjithë territorin e Shqipërisë, por vetëm me një njësi zgjedhore, atë të Tiranës dhe si i tillë nuk krijonte një normë për gjithë vendin. Akti normativ i KQZ për numërimin e votave të kontestuara nuk ishte përfundimtar, pasi ai bëri vetëm korrigjimin e tabelave të KZAZ- ve të Tiranës”, deklaron gjyqtari Tom Ndreca.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›