Kërkesë-padia e re, Kolegji lojë afatesh me PS
Depozitimi i padisë së re nga Partia Socialiste në Kolegjin Zgjedhor ka rizgjuar debatin mbi afatet ligjore. Fillimisht ishin përfaqësuesit socialistë, të cilët kërkuan në sekretarinë e Kolegjit Zgjedhor arsyetimin e vendimit të tij, të dhënë të premten. Deputeti dhe juristi socialist, Damian Gjiknuri akuzoi se vonesa lidhet me kërkesë padinë e re që opozita ka përgatitur për rezultatin e garës për Tiranën. “Mosmarrja e arsyetimit të vendimit, e penalizon në një farë mënyre Partinë Socialiste, e cila ka afat që vetëm brenda ditës së sotme (djeshme) të mund të bëjë ankim ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, vlerësoi Gjiknuri. Vendimi për rrëzimin e padisë së bërë nga Partia Socialiste u bë në mbrëmjen e së premtes së kaluar, ndërsa Kodi Zgjedhor parashikon mundësinë e ankimimit brenda 5 ditësh. Gjyqtari dhe njëkohësisht kreu i trupit gjykues të Kolegjit Zgjedhor, Tom Ndreca theksoi se ka ende afat ligjore për këtë institucion për të zbardhur vendimin e marrë të premten dhe se llogaritja bëhej bazuar në Kodin Civil, që nuk llogarit ditët e pushimit. Në nenin 152 të Kodit Zgjedhor parashikohen qartazi afatet e ankimit në gjykatë. Ankimet, sipas këtij Kodi, paraqiten në Gjykatën e Apelit, Tiranë, e cila ia kalon ato Kolegjit Zgjedhor. Ankimi për të gjitha vendimet që KQZ-ja merr në periudhën, e cila fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme, ose të përgjithshme, deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore ose të
kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, bëhet brenda 5 ditëve nga shpallja e tyre. Për vendimet që KQZ-ja merr jashtë kësaj periudhe, afati i ankimit në Kolegjin Zgjedhor është 30 ditë. Kolegji Zgjedhor gjykon dhe vendos për kërkesëpaditë brenda 10
ditëve nga depozitimi i kërkesëpadisë. Në nenin 158 të Kodit Zgjedhor, ku parashikohen llojet e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor, në pikën 6, thuhet se “Kolegji Zgjedhor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij”. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor përmbajnë hyrjen, pjesën përshkruese-arsyetuese dhe pjesën urdhëruese. Në hyrjen e vendimit përmenden: a) gjykata, trupi gjykues dhe sekretari;
b) koha dhe vendi I dhënies së vendimit; c) palët, duke u shënuar identiteti dhe cilësia e tyre si paditës, i paditur, palë e interesuar, si dhe përfaqësuesit e tyre; ç) objekti i padisë; dhe d) kërkimet përfundimtare të palëve. Në pjesën përshkruese-arsyetuese të vendimit përmenden: a) rrethanat e çështjes, ashtu siç janë konstatuar gjatë gjykimit dhe përfundimet e nxjerra nga gjykata; b) provat dhe arsyet, në të cilat mbështetet vendimi; dhe c) dispozitat ligjore, në të cilat bazohet vendimi. Në pjesën urdhëruese të vendimit, ndër të tjera, duhet të përmenden: a) çfarë vendosi gjykata; dhe b) sipas rastit, kujt i ngarkohen shpenzimet gjyqësore. Vendimi shoqërohet me mendimin e pakicës ose mendimin alternativ të nënshkruar nga gjyqtarët që e mbështesin atë. Pavarësisht kësaj pengese të krijuar dje nga Kolegji Zgjedhor, deputeti socialist Gjiknuri tha se socialistët do të dorëzonin kërkesë-padinë e tyre në orët e mbetura të ditës.