E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha kryebashkiak mandatohen edhe keshilltaret

Gjykata e Tiranës ka njohur Lulzim Bashën si kreun e ri të bashkisë së Tiranës. Gjykatësja Elbana Lluri, la lëshuar vërtetimin e mandatit për fituesin e zgjedhjeve të 8 majit me 93 vota ndaj Edi Ramës.

Paralelisht dhe Kolegji Zgjedhor në një seancë ku mungonin juristët e PS-së, mandatoi 55 këshilltarët bashkiakë të Tiranës. Duke i hequr kështu dhe pengesën e fundit ligjore që Basha të ulet në karrigen e kryebashkiakut.  

“Zoti Basha sot është fitues me një rezultat që është i çertifikuar plotësisht nga një numërim transparent, plotësisht mbi procedurat e ligjit dhe i konfirmuar me vendime gjykate. Pra, s’ka më asnjë dyshim në lidhje me ligjshmërinë e këtij procesi për rrjedhojë, pretendimet e PS-së, e kuptoj që janë në hall të madh, por nuk kanë rrugë tjetër veçse të pranojnë verdiktin që populli dha më datë 8 maj”-u shpreh Oerd Bylykbashi, përfaqëues ligjor i PD-së.

Pak minuta më pas, Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve i ka përcjellë vendimin e shkurtuar të Kolegjit sekretariatit të bashkisë dhe prefektit. Vladimir Gjonaj, sekretar i këshillit bashkiak ka 5 ditë afat për të mbledhur këtë këshill, ku kryetari i ri do të bëjë betimin. Në rast refuzimi, kompetenca i kalon prefektit. Por në shkëmbimin e detyrave, ligji parashikon dhe betimin e lamtumirës së kryetarit parardhës, Edi Ramës, veprim të cilin nuk dihet ende nëso do ta kryejë.

“Sipas informacionit zyrtar që unë kam, vendimi i Kolegjit ka mbërritur në tryezën e zotit Ristani. Them se ai me siguri ka detyrimin ligjor ta përcjellë këtë vendim të kolegjit pranë këshillit bashkiak të Tiranës, ose më saktë pranë sekretarit, zotit Vladimir Gjonaj si dhe pranë prefektit të Tiranës"-tha përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti.

Duke përllogaritur afatet , sipas demokratëve, e mërkura ose premtja , do të jetë dita kur ish-Ministri i Brendshëm, Lulzim  Basha do të marrë kryesimin e bashkisë më të madhe në vend.

Elona Gjylmi/Denada Shkodrani/Erjon Ajazi
Azhornuar së fundi ( e premte , 15 korrik 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›