E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi me BE-ne Bregu zbardh axhenden e bisedimeve

Qeveria do të përballet të martën  në Bruksel, me kërkesën e europianëve për ecurinë e procesit integrues të vendit, ku pika e parë e rendit të ditës është kriteri politik. Ministria e integrimit Majlinda Bregu dha detaje për takimin e këshillit të stabilizim asocimit Shqipëri-BE që mbahet më 19 korrik në Bruksel, ku pala shqiptare do të raportojë për të gjitha detyrimet e marra në kuadër të procesit integrues, siç janë  dialogu politik, funksionimi i parlamentit zgjedhjet e 8 majit, reforma në gjyqësorë, lufta kundër kortrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe ecuria ekonomike.

Ndërsa prej 2009 dialogu politik në Shqipëri është ai që ka munguar, zonja Bregu para anëtarëve të shumicës në komisionin parlamentar të integrimit tha se opozita nuk është shfaqur bashkëpunuese.

“Opozitës nuk i ka munguar asnjë shans për dialog. Opozita ka zgjedhur qasjen më të gabuar kundër integrimit të vendit në BE me një vizion cung afatshkurtër duke shpresuar se bllokimi i parlamentit, bllokimi i dialogut politik, mosdhënia e konsesusit për ligje të veçanta dhe mosmarrja pjesë në zbatimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, mund ta sjellë opozitën më shpejt në pushtet”-tha Bregu.

Megjithatë sipas ministres Bregu që bojkotimi i parlamentit nga opozita dhe mosdhënia e konsensusit për disa ligje që lidhen me integrimin, nuk kanë lënë vendin në stanjacion.

“Shqipëria nuk është një vend i cili nga mospjesëmarrja e opozitës në parlament ka njohur prapa, por përkundrazi edhe në këtë raport, në këtë takim që do të kemi, sikurse do të shihni edhe më pas gjatë progress raportit, vlerësimi i situatës makroekonomike tregon që Shqipëria, nuk është një vend që ka qenë në stanjacion”-theksoi ajo. 

Takimi i 19 korrikut do të pasojë me daljen e progres raportit të Komisionit Europian në muajin tetor, në të cilin jepet vlerësimi për situatën në Shqipëri. 

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›