E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha kushtëzon Gjykatën e Lartë për të caktuar seancën e ardhshme



Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Lartë u detyrua dje të caktonte datën 27 shkurt për të nisur shqyrtimin e dosjes ku është i pandehur ministri Basha. Shkak edhe këtë herë kanë qenë impenjimet diplomatike të ministrit me punë jashtë vendit. Seanca, që pritej të zhvillohej dje pak pas orës 10:00 në Gjykatën e Lartë, zgjati vetëm pak minuta, pasi kolegji penal, i kryesuar nga Spiro Spiro, vendosi të marrë parasysh kërkesën e ministrit Lulzim Basha për shtyrjen e procesit gjyqësor. Seanca tjetër e gjykimit fillestar u caktua më 27 shkurt. Ministri Basha kërkoi, nëpërmjet një shkrese zyrtare, që të shtyhej seanca, pasi në cilësinë e ministrit të Jashtëm ndodhej me angazhime jashtë vendit, kryesisht në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit në Zvicër. Në seancën e djeshme u paraqit vetëm i pandehuri Andi Toma me avokatin e tij, Genc Gjokutaj. Ndërsa përfaqësuesit e akuzës ishin prokurorët Artur Selmani dhe Arben Kraja. Ky proces do të ndiqet edhe nga përfaqësues të OSBE-së, që janë marrë me Drejtësinë në vendin tonë.
Kërkesa
Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i kishte dërguar një shkresë zyrtare Gjykatës së Lartë. Kjo shkresë u lexua dje për palët në proces nga kryetari i kolegjit penal, Spiro Spiro. Në të thuhej se ministri ka marrë njoftimin se seanca e parë do të zhvillohej më datë 30 janar, mirëpo për shkak të një impenjimi shumë të rëndësishëm, ndodhej me udhëtim jashtë shteti. Ministri i kërkonte Gjykatës që të caktonin një datë ku të ishte dhe ai në sallën e gjyqit. Ndërkohë ai kishte dhënë disa data ku e kishte axhendën të zënë me takime diplomatike, duke e kushtëzuar kështu Gjykatën për ta caktuar seancën e ardhshme më 27 shkurt.
Akuza
Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, akuzohet se në bashkëpunim me ish-drejtorin Juridik të këtij dikasteri, ka abuzuar me fondet e lëvruara për ndërtimin e segmentit “Rrëshen-Kalimash”, pjesë e rrugës “Durrës-Kukës”. Dëmi i shkaktuar shtetit llogaritet të kapë shifrën e 230 milionë eurove. Basha dhe Toma do të përgjigjen në Gjykatën e Lartë për akuzat e "shpërdorimit të detyrës" dhe të "shkeljes së barazisë në tendera". Për abuzime me fondet u hetuan dhe ish-zëvendësministri i Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi. Por, për mungesë provash dhe faktesh, prokuroria e pushoi akuzën ndaj tyre. Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, është i pandehuri kryesor në këtë proces dhe i pari ministër që do të gjykohet nga Gjykata e Lartë. Kjo është hera e parë që një ministër gjykohet direkt nga shkalla më e lartë e Gjyqësorit në vend, ashtu sikurse parashikohet në nenin 141 të Kushtetutës.

Pjesë të marra nga Prokuroria për dosjen

“... Më 9 mars 2007, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 893 për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, kryer në bashkëpunim, vepër penale e parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe që bën fjalë për shkelje të kryera nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit gjatë financimeve të kryera për ndërtimin e rrugëve të ndryshme kombëtare me fonde publike dhe në mënyrë të veçantë për fondet e përdorura në ndërtimin e rrugës ‘Rrëshen-Kalimash’”.

“Më datë 27 shtator 2007 është vendosur regjistrimi i emrit të shtetasit Lulzim Basha në Regjistrin e Procedimeve Penale pranë zyrës së prokurorit të Përgjithshëm”.

“Më datë 15 tetor 2007, prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë autorizim për procedim penal ndaj deputetit Lulzim Basha. Me Vendimin nr. 152, datë 27.12.2007, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur ‘Dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Lulzim Basha, kërkuar nga prokurori i Përgjithshëm”.

“Vepra penale e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal, është kryer nga të pandehurit Lulzim Basha dhe Andi Toma, gjatë procedurave të ndjekura për përzgjedhjen e shoqërisë konsulente ‘Ecorys Group’”.

“Veprimet e kryera nga shtetasit Lulzim Basha dhe Andi Toma janë në kundërshtim dhe me Nenin 7/1 të Ligjit nr. 7971 datë 26.07.1995 ‘Për prokurimin publik’, i cili thotë: ‘Enti prokurues është përgjegjës për prokurimin me fonde publike që i vihen në dispozicion, duke iu nënshtruar dispozitave të këtij ligji dhe çdo kushti tjetër që përfshihet në rregullat e prokurimit dhe udhëzimet e Agjencisë së Prokurimit Publik”.

“Mungesat” e Bashës për të penguar hetimin
Që në krye të herës së hetimit të tij Lulzim Basha ka refuzuar bashkëpunimin në kohë reale me organet e Drejtësisë. Sapo Prokuroria e Tiranës nisi çështjen për tenderimin e rrugës, Basha ofroi “mbështetjen e tij dhe të Ministrisë për çdo dokumentacion të nevojshëm”, por kur pas shqyrtimit të dokumentacionit prokurorët e Tiranës deshën ta merrnin në pyetje, Basha doli para kamerave dhe e quajti Prokurorinë si “politike dhe nën urdhrat e verbra e të njëanshme të Dhori Sollakut”. Më vonë, pas emërimit të Ina Ramës në krye të organit të akuzës, Basha shkoi vetë në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjen, por përsëri këtë gjë vetëm një herë, pasi mbyllja e hetimeve e gjeti atë fajtor dhe ministri i Jashtëm nuk denjoi të paraqitej për të marrë akuzën që i kishin veshur prokurorët e çështjes. Por Basha nuk u mjaftua vetëm me injorimin e organit të akuzës. Ai, nga ana tjetër, nxiti dhe mbështeti një proces gjyqësor paralel, që synonte pavlefshmërinë e procedurës së ndjekur nga prokurorët për shpalljen e tij si të pandehur. Basha dërgoi avokatin e tij, Zef Nikaj, në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa ky i fundit bëri me dije, pasi doli nga Prokuroria, se i kishte konsideruar si të jashtëligjshëm dhe të pavlefshëm aktin e shpalljes së Bashës si të pandehur. Ky refuzim i Bashës për t’u paraqitur para prokurorit shënon numrin tre të refuzimeve të tij, ndërsa dy herë të tjera Basha nuk u paraqit në Prokurorinë e Tiranës, kur për të njëjtën çështje e thirri edhe prokurori Ervin Karanxha.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›