E Diel, 1 Nëntor 2026

Floriri i sekuestruar nga komunizmi, Avokati i Popullit kërkon nisjen e kompensimit



Ervin Koçi

Çështja e arit që u është sekuestruar tregtarëve dhe familjeve të ndryshme shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore nga qeveria komuniste, do të rihapet sërish me shpresën e nisjes së procesit të kompensimit për këto familje. Me iniciativë të Avokatit të Popullit ka nisur llogaritja e pronave të luajtshme që u janë sekuestruar pronarëve nga regjimi komunist, por që ende nuk u janë kthyer. Nga sa mësohet, në gjykata dhe në zyrën e Avokatit të Popullit kanë nisur ankimimet nga familjet e dëmtuara për këtë çështje. Burime nga zyra e Avokatit të Popullit kanë bërë të ditur për “Albania”-n se “janë dy shkresa zyrtare që kanë kërkuar miratimin e një ligji për rregullimin e kësaj situate”. Si përgjigje nga institucionet shtetërore është thënë se nuk mund të ketë një projekt konkret deri në përfundimin e një studimi mbi faturën financiare, si dhe për të dhënat që janë mbi këtë situatë. Në janar të vitit 1945, qeveria e dalë nga lufta, miratoi ligjin “Për tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës”. Ky ligj godiste rëndë atë shtresë të popullsisë që kishte pasuri të mëdha. Organet e Punëve të Brendshme, njësoj si Gestapoja e Hitlerit në Gjermani, që u sekuestronte hebrenjve arin dhe pasuritë me vlerë, u sekuestroi pasuritë tregtarëve dhe të gjithë personave që posedonin ar, duke mos u lënë më asgjë. Qindra familjeve tregtare në Shkodër, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë etj., iu sekuestrua e gjithë pasuria. Tatimi i jashtëzakonshëm shkatërroi plotësisht gjendjen ekonomike të familjeve të pasura. Dallimi mes tatimit të jashtëzakonshëm që u zbatua në Shqipëri dhe atij që u zbatua në vendet perëndimore është thelbësor. Në Perëndim tregtarëve u merrej ajo pjesë e tatimit që ata e kishin shumë të lartë në kohë lufte, sesa në kohë paqeje. Kurse në Shqipëri u asgjësua tërësisht kapitali esencial dhe u bë në metoda tërësisht joligjore dhe të ashpra. Në fund të vitit 1948, forcat e Sigurimit të Shtetit mendohet se kanë grumbulluar 43.816.682 monedha ari.

Qeveria zvarrit procesin

Në zbatim të Kushtetutës së Shqipërisë, ku prona cilësohet e paprekshme dhe e shenjtë, është kërkuar që veç kompensimit të pronave të paluajtshme, të ndërmerren hapa dhe për kthimin e pasurive të luajtshme që janë konfiskuar nga regjimi komunist. Pak ditë më parë, në zyrën e Këshillit të Ministrave është dërguar një kërkesë mbi zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ndërkohë, në zyrën e Avokatit të Popullit mësohet se janë në pritje të një përgjigjeje me dhjetëra kërkesa për këtë çështje, në respektim të afateve procedurale. Në të njëjtën mënyrë është vepruar dhe për Ministrinë e Drejtësisë, ku Dobjani ka nisur një kërkesë zyrtare për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ky debat është hapur dhe disa vjet më parë, por nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe konkrete.

Debati 4 vjet më parë

Katër vjet më parë, gjatë diskutimit për ndryshimin e ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave, është debatuar dhe në përfshirjen e kthimit të pasurive të luajtshme. Madje, fillimisht në projektligj nuk u përcaktua kompensimi i pronave të luajtshme apo të paluajtshme, duke i konsideruar si të barabarta. Por pas nisjes së diskutimit është kërkuar vendosja e një pike të veçante, e cila kërkonte kthimin e pronave të luajtshme, duke e cilësuar si një e drejtë kushtetuese. Në atë kohë u tha se do të kenë të drejtë të marrin pasurinë e sekuestruar të gjithë personat që kishin dokumente origjinale apo të lëshuara nga arkivat mbi sekuestrimin e pasurisë së tyre dhe do të ngarkohej Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave për të zbatuar këtë vendim. Por pas një muaji diskutimesh deputetët e maxhorancës dhe ata të opozitës vendosën që të hiqnin përcaktimet mbi pasuritë e luajtshme, duke përdorur si argument se çështja ishte më e ndërlikuar dhe se do të duhej një draft i posaçëm vetëm për këtë çështje. Kjo për faktin se do të duhej një studim i plotë mbi pronat e konfiskuara dhe një verifikim konkret i të dhënave. Ndaj dhe në draftin e miratuar u saktësua se për pronat e luajtshme çështja do të zgjidhet me një projektligj të posaçëm. Por deri tani asnjë nga forcat politike nuk ka paraqitur një iniciativë të tillë.

Letra e Dobjanit

“Gjatë shqyrtimit të ankesave të paraqitura gjatë 8 viteve nga qytetarë të ndryshëm, në shumë raste është kërkuar nga ana e tyre që të kthehen apo të mundësohet kompensimi i sendeve të tyre të luajtshme, për të cilat në mjaft raste disponojnë dokumentacionin e sekuestrimit, ose në mungesë të tyre u ishin drejtuar organeve gjyqësore për vërtetimin e faktit juridik të ekzistencës së një sendi të caktuar dhe më pas sekuestrimin e tij”, - thuhet në letrën që Avokati i Popullit i ka dërguar kreut të qeverisë. Në argumentimin e dhënë Dobjani shton se në vazhdim të ndjekjes së këtyre çështjeve dhe në kuadër të mbrojtjes dhe përmbushjes brenda standardeve të të drejtave dhe interesave të ligjshme të ish-pronarëve, dëshirojmë të bëjmë të ditur se Avokati i Popullit, pas studimit të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, të ndryshuar, ka evidentuar faktin se ky akt paraqet ende mangësi të dukshme në rregullimin e marrëdhënieve dhe procedurave që duhet të ndiqen nga organet kompetente shtetërore për kthimin e pronave të sekuestruara në mënyrë të paligjshme ish-pronarëve. Ndërkohë theksohet se në ligjin në fjalë përcaktohet se “kthimi dhe kompensimi i pronave të luajtshme bëhet me ligj të veçantë”. Duke parë faktin se ende nuk ka një nismë për sistemimin e situatës, Avokati i Popullit ka kërkuar ndërhyrjen e kryeministrit për dhënien e një zgjidhjeje përfundimtare. “Ju rekomandojmë ndërhyrjen tuaj institucionale lidhur me hartimin dhe më pas paraqitjen për miratim të projektligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës së luajtshme”, - thuhet në letër. Ndërkohë kërkohet dhe një sqarim përfundimtar sipas afateve të parashikuara në ligj.

Blerim Çela: “Tregtarëve u janë sekuestruar 283 tonë ar”

Ish-kryetari i Komisionit hetimor për Thesarin në fillim të viteve ‘90, deputeti Blerim Çela, shprehet se ekzistojnë dokumente që vërtetojnë se 1700 personave iu është sekuestruar e gjithë pasuria. Sipas Çelës, “tregtarët kanë deklaruar se iu është marrë shumë më tepër flori nga sa është deklaruar në dokumentet e depozituara në Arkivin e Shtetit”. Nga hetimet e kryera rezultoi se nuk ka asnjë dokument për sekuestrimet e floririt, të bëra gjatë viteve 1946-1949, kur ka qenë edhe vala më e madhe e sekuestrimeve. Ish-kryetari i Komisionit hetimor për Thesarin thotë se mendohet që deri në fund të vitit 1948 forcat Sigurimit të Shtetit mund të kenë grumbulluar rreth 43 milionë e 816 mijë e 682 monedha ari, ose 283 tonë ar. Në deklaratën e 16 janarit të vitit 1992, Çela pohoi “Në thesar janë futur vetëm 3 tonë ar, ose 3029 kilogramë flori”. Komisioni hetimor i ngritur në vitin 1992 deklaroi se nuk ekziston asnjë dokument që mund të tregojë se ku e kanë dërguar forcat e Sigurimit të Shtetit arin e grumbulluar në atë kohë nga familjet e pasura shqiptare dhe tregtarët.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›