E Diel, 1 Nëntor 2026

Riparimi i superstradës Tiranë-Durrës, Olldashi inspekton punimet



Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, inspektoi të premten ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e autostradës “Tiranë-Durrës”, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë rreth 500 milionë lekë. Ministri Olldashi, në një prononcim për mediat, tha se "punimet do të përfundojnë në fund të muajit maj, duke e sjellë rrugën në parametrat optimalë, gjë që do të shtojë edhe shpejtësinë e shkëmbimit të trafikut midis dy qyteteve". Në këtë drejtim, Olldashi kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë që mund të shkaktohen në qarkullimin e mjeteve gjatë periudhës së zbatimit të punimeve, por theksoi se "ky është një operacion i domosdoshëm për ta sjellë rrugën në parametrat normalë". Ndërhyrja konsiston në riparimin e pjesshëm të shtresave asfaltike në të gjithë gjatësinë e segmentit prej 32 kilometrash, si dhe të sistemimit të kanaleve anësore nga kryeqyteti deri në Durrës. Punimet po kryhen nga firmat “Euroteorema” dhe “Salillari”, ndërsa supervizioni nga MPPTT dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Për shkak të rikonstruksionit në autostradën “Tiranë-Durrës”, trafiku dhe qarkullimi i automjeteve po bëhet në një korsi, i alternuar. Nga MPPTT-ja dhe instancat përkatëse janë marrë të gjitha masat që të minimizohen efektet e kësaj ndërhyrjeje në qarkullimin e mjeteve në këtë autostradë.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›