E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha lutje serbëve: Pranoni Kosovën në tryezë

Skandal në takimin rajonal për lëvizjen e lirë, nuk ftohen përfaqësues nga Kosova

Megjithëse Kosova ka shpallur prej dy vjetësh pavarësinë, vendet e rajonit ende nuk e pranojnë që të ulet në një tavolinë si shtet. Skandali i radhës ka ndodhur për fat të keq në Tiranë, ku me iniciativën e zyrës së komisionit Europian në Tiranë, dhe me miratimin e qeverisë shqiptare, përfaqësues të rajonit ishin pjesëmarrës në takimin e Iniciativës Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët (MARRI).


Edhe pse vend mikpritës i aktivitetit, Shqipëria me anë të ministrit të Brendshëm nuk ka këmbëngulur për pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e ministrave të Brendshëm.


Ndërsa vlerësoi mbështetjen e homologut serb Z. Ivica Dacic për Shengenin ballkanik dhe të homologut malazez Z. Ivan Brajovic për bazën e përbashkët të të dhënave, Ministri i Brendshëm, Z. Lulzim Basha, u përsëriti vendeve të MARRI-t dhe Komisionit Europian, kërkesën në emër të presidencës shqiptare të MARRI-t dhe të qeverisë shqiptare për përfshirjen e Kosovës në këtë iniciativë rajonale.


"Të nderuar pjesëmarrës edhe një lutje miqësore për të rikonsideruar praninë e Kosovës në këtë forum, në mënyrë që kjo përqasje të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe pa të përjashtuar dhe pa asnjë paragjykim ndaj pozicioneve të ndryshme që vendet anëtare kanë përsa i përket pavarësisë së Kosovës.


Përsëris kërkesën në emër të presidencës shqiptare dhe në emër të Qeverisë shqiptare secilit prej vendeve tuaja, por edhe Komisionit Europian për një përfshirje të Kosovës në këtë forum, në mënyrë që problemet që ne trajtojmë, të cilat janë probleme të përbashkëta, të trajtohen edhe në kuadrin e territorit të këtij vendi".


Deklarata e Bashës u bë gjatë fjalës së tij në një workshop që zhvillohet në Tiranë për përmirësimin dhe intensifikimin e aksesit për informacion dhe shkëmbimit të të dhënave mbi migracionin dhe refugjatët midis vendeve të rajonit me moton "pa viza, pa tarifa, zonë e lëvizjes së lirë mes vendeve të MARRI-t".


Ambasadori i zyrës së komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, e justifikoi mungesën e Kosovës në takim, për shkak të mosanëtarësimit të saj në MARRI: "Natyrisht që Kosova nuk është tej konsideratës së BE-së, por kur kushtet të plotësohen, atëherë ajo do të mund të lëvizë drejt dialogut për liberalizimin e vizave me Komisionin Evuropian"- u shpreh Lohan duke shtuar se "mbështetja e bashkëpunimit rajonal është prioritet kyç i BE-së, politikisht dhe financiarisht".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›