Pagat e PS, çdo deputet padi penale Topallit

Grupi i PS vendos ngritjen e një grupi pune për të kontrolluar financat e Kuvendit dhe mënyrën se si administrohen ato dhe kundërshton ndryshimin e rregullores për votimin e dekreteve të presidentit
TIRANË- Grupi i Partisë Socialiste do të ngrejë një grup pune për hartimin e një alternative për reformimin e buxhetit të Kuvendit.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e cila është drejtuar nga kryetari i grupit, Gramoz Ruçi, deputetët e majtë kanë marrë direktiva, në bazë të komisioneve ku ata marrin pjesë që të punojnë dhe të hartojnë relacione për çdo komision.
Direktiva të veçanta kanë marrë nënkryetarët e komisioneve parlamentare që mbahen nga të majtët, të cilët duhet të raportojnë për veprimtarinë e komisioneve.
Grupi Parlamentar Socialist diskutoi gjithashtu sërish mbi ndryshimet e Rregullores së Kuvendit, të propozuara nga mazhoranca e të cilat janë përfshirë në rendin e ditës së seancës së ditës së enjte.
Sipas socialistëve, miratimi i njëanshëm nga ana e mazhorancës i ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit do të cenojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese.
Socialistët priten që së shpejti të ngrenë një grup pune, në të cilin të marrin pjesë deputetët socialistë për reformimin e financave të Kuvendit.
Ndërkohë që nuk dihet nëse do të kërkohet edhe ngritja e një komisioni hetimor për shpërdorimet e kryetares së Kuvendit, ide e propozuar nga deputeti Erjon Braçe.
Qëllimi i ndryshimeve që socialistët kërkojnë të bëjnë me financat e Kuvendit lidhet me kryetaren e Kuvendit. Opozita nuk dëshiron që buxheti i Kuvendit të mbetet vetëm në dorën e kryetares së parlamentit, Jozefina Topalli.
Socialistët kanë akuzuar vazhdimisht kryetaren e Kuvendit për shpenzime të pajustifikuara me buxhetin e Kuvendit, ndërkohë që konflikti më i fundit lidhet me pagat e mbajtura të deputetëve të majtë gjatë periudhës që kanë qenë jashtë parlamentit. Në mbledhjen e djeshme të grupit është kërkuar që buxheti të vendoset në funksion të 140 deputetëve dhe jo t'i lihet në dorë kryetares së Kuvendit.
Një tjetër çështje e diskutuar gjatë mbledhjes së grupit socialist ka qenë rrogat dhe dietat e deputetëve të majtë të mbartura për kohën që këta të fundit nuk kanë qenë në Kuvend.
Grupi nuk ka marrë një vendim të përbashkët për ngritjen e një padie penale të përbashkët ndaj Administratës së Kuvendit. Por, çdo deputeti i lind e drejta dhe është i lirë të ngrejë padi ndaj Kuvendit për rrogat dhe dietat e tyre.
Deputetët e majtë përcaktuan edhe temën e diskutimit gjatës seancës së sotme parlamentare, ku edhe njëherë tjetër 60 minutave të diskutimit të lirë që përcakton Rregullorja e Kuvendit në fillim të seancës do t'i marrë ndryshimi i mënyrës së votimit.
Në njoftimin zyrtar të Partisë Socialiste bëhet e ditur se grupi socialist i qëndron idesë se miratimi i njëanshëm nga ana e mazhorancës i ndryshimeve të propozuara do të prodhojë pa më të voglin dyshim thellimin e mëtejshëm të krizës politike dhe, sipas selisë rozë, do të cenojë në mënyrë të drejtpërdrejtë pavarësinë e institucioneve kushtetuese të vendit.
"Grupi Socialist i qëndron vlerësimit të bërë publik se ndryshimet e propozuara në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës janë në kundërshtim me praktikat e funksionimit të një parlamenti demokratik europian",- thuhet në njoftimin e Partisë Socialiste.
Ndryshimi i rregullores, debate në Kuvend
Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit për mënyrën e votimit është shoqëruar me debate edhe në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të zhvilluar më datë 15 qershor. Deputetët Gramoz Ruçi dhe Pandeli Majko kanë replikuar me kolegët e tyre të djathtë, Ilir Rusmali dhe Eduart Halimi.
Gjatë kësaj mbledhjeje, deputetët e majtë këmbëngulën në idenë se ndryshimi i mënyrës së votimit nga votim i fshehtë në votim të hapur është një mënyrë për të kontrolluar politikisht votën. Ndërsa, sipas të djathtëve, votimi i hapur është në funksion të transparencës.
Prej disa ditësh deputetët e shumicës thonë se votimi i hapur do t'i shërbejnë transparencës, kurse deputetët e opozitës thonë se kjo është një mënyrë për të kontrolluar politikisht votën.
Pritshmëria e mazhorancës për të marrë edhe konsensusin e opozitës për ndryshimin e mënyrës së votimit ka bërë që edhe afati ligjor për votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për vendet vakant në Gjykatën e Lartë të tejkalohet.
***********************************
Deputetët kërkojnë që qeveria të rrisë fondet për Shërbimin, janë të krahasueshme me ato të vitit 2001
SHISH, buxheti i pamjaftueshëm për të punuar
TIRANË- Fondet e dhëna nga qeveria shqiptare për Shërbimin Informativ Shtetëror janë të pamjaftueshme për të kryer një punë eficiente dhe për këtë arsye deputetët kanë kërkuar rritjen e tyre.
Kreu i SHISH, Bahri Shaqiri raportoi dje në Komisionit për Sigurinë në Kuvend dhe pas raportit deputetët i kanë drejtuar edhe pyetje rreth pikave të paqarta. Deputetët e të dyja forcave politike që marrin pjesë në Komisionin e Sigurisë kanë shprehur mendime të njëjta për punën e këtij shërbimi.
Gjithsesi, gjatë mbledhjes, socialistët kërkuan rritjen e buxhetit për Shërbimin Informativ Kombëtar, pasi, sipas tyre, do t'i shërbente më mirë funksionit të inteligjencës shqiptare.
Pas mbledhjes, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, u shpreh se palët kërkuan që SHISH-it t'i rriten të ardhurat, pasi buxheti aktual i këtij institucioni është i krahasueshëm me atë të vitit 2001.
"Pati një konsensus nga të gjithë anëtarët për buxhetin dhe u dha mbështetje për anën financiare, të cilat do t'i shërbejnë si për pagat e punonjësve, ashtu edhe për blerjen e pajisjeve të reja teknologjike për përmirësimin e veprimtarisë së SHISH-it", - tha nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni. Sipas deputetit Gjoni, gjatë mbledhjes nuk është diskutuar për ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar.
Draftin e ligjit për SHISH e ka marrë në shqyrtim EURALIUS që pritet të sjellë vërejtjet dhe propozimet e veta për projektin e kaluar tashmë edhe në komisionet parlamentare. Edhe deputeti tjetër socialist, Pirro Lutaj, u shpreh se problemi kryesor që ka Shërbimi Informativ është mungesa e buxhetit për realizimin e misionit.
***************************
Rama: Kriza i ka rrënjët tek zgjedhjet e shkuara
Kryesocialisti Edi Rama gjatë fjalës së tij në Këshillin e Internacionales Socialiste mbajtur në Nju Jork deklaroi se kriza ekonomike në Shqipëri i ka rrënjët tek zgjedhjet e shkuara.
"Sot Shqipëria përballet me një krizë aspak të thjeshtë politike, e cila i ka rrënjët në zgjedhjet e shkuara, por, më anë tjetër, është vetëm maja e ajsbergut të një krize që ka prekur funksionet e demokracisë, ka politizuar e paralizuar drejtësinë, ka hyrë në ekonominë e të dhënave e të shifrave të gënjeshtërta, - u shpreh kreu i PS-së.
Lideri i opozitës u shpreh se është tejet shqetësuese mungesa e transparencës së qeverisë shqiptare për gjendjen ekonomike, në të cilën ndodhen shqiptarët.
"Ndjehemi tejet të shqetësuar për atë ç'ka mbahet mbyllur në errësirën e mungesës së informacionit nga qeveria shqiptare lidhur me gjendjen reale të ekonomisë së vendit tonë, - tha Rama nga New Yorku.
Sipas kryesocialistit Rama, ekonomia shqiptare ka dhënë shenja të qarta, alarmante, rënieje, ndërkohë që shqiptarëve u thuhet e kundërta dhe u fshihet kokëfortësish e vërteta.
Ditën e djeshme kreu i PS-së u kthye në Shqipëri pas pjesëmarrjes në Këshillin e Internacionales Socialiste, i cili u mbajt në Nju Jork në datat 21-22 qershor.
Në këtë forum të lartë të socialistëve të të gjithë vendeve të botës, Partia Socialiste përfaqësohej nga një delegacion i nivelit të lartë kryesuar nga Kryetari Edi Rama.