E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendos Europa, të hiqen vizat me Shqipërinë

PE jep "ok" për vizat, ndërsa kërkon zgjidhjen e krizës politike dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor


Komiteti i Jashtëm miratoi dje me 59 vota pro dhe 1 kundër Rezolutën për Shqipërinë


Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi paraditen e djeshme me 59 vota pro dhe 1 kundër, Rezolutën mbi integrimin e Shqipërisë në BE.


Pothuajse 60 eurodeputetët e pranishëm në Parlamentin Europian dhanë votën e tyre në favor të liberalizimit të vizave me Shqipërinë, por kërkuan që qeveria shqiptare të përmbushë tri kriteret e mbetura gjatë javëve në vazhdim, në mënyrë që kjo të qartësojë procedurën për Këshillin dhe Parlamentin, për të miratuar përfundimisht heqjen e regjimit të vizave në fund të këtij viti.


Por, përveç përmbushjes së tri kritereve të mbetura, gjatë miratimit të rezolutës, europarlamentarët kërkuan që klasa politike shqiptare të zgjidhë krizën politike, me qëllim që të plotësohet kriteri politik në përputhje me kriteret e Kopenhagenit, si kushti kryesor për përfitimin e statusit të vendit kandidat.


Në rezolutë u apelua edhe domosdoshmëria për pavarësinë dhe shmangien e kontrollit qeveritar ndaj sistemit të drejtësisë. Disa prej amendamenteve të hartuara nga eurodeputetët e majtë dhe të djathtë, që do t'i bashkëngjiteshin rezolutës janë zëvendësuar me të ashtuquajturat "amendamente kompromisi" midis grupimeve të ndryshme politike të Parlamentit Europian.


Reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikolas Kuntis, e shpjegoi këtë zëvendësim me faktin se ky ishte një qëndrim i përbashkët i europarlamentarëve për ta shmangur çështjen e heqjes së regjimit të vizave nga situata politike.


Sipas Kuntis, ka pasur disa amendamente që parashikonin ngrirjen e liberalizimit të vizave, në mënyrë që liderët shqiptarë të zgjidhnin krizën politike. Por, kjo nuk u bë, pasi, sipas tij, Parlamenti Europian kërkoi njëzëri që shqiptarëve t'u jepet e drejta për të lëvizur lirisht sa më parë në vendet e hapësirës Shengen.


"Kishte disa amendamente që për çështjen e vizave t'i mbyllnim derën Shqipërisë në mënyrë që të kishim përmirësim të situatës politike atje. Por, në rezolutë vendosëm që të thuhet ndryshe që duhet t'u japim vizat shqiptarëve, sa më shpejt aq më mirë.


Le të themi se ky është qëndrimi i përbashkët, për t'i thënë Shqipërisë se duhet të përpiqet më shumë për integrimin europian. Mendoj se është lajm pozitiv për popullin dhe qeverinë tuaj", - theksoi Kuntis pas përfundimit të mbledhjes së Komitetit të Jashtëm.


Megjithatë, rezoluta vë në dukje se me gjithë iniciativën e përfaqësuesve të Parlamentit Europian, liderët politikë nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për të zgjidhur krizën politike. Për këtë arsye, eurodeputetët kanë apeluar për zgjidhjen e kësaj situate për të plotësuar kriterin politik, si mundësia kryesore për të qenë vend kandidat për në BE, si dhe për të bërë të mundur reformimin e sistemit zgjedhor në vend.


"Rezoluta bën thirrje gjithashtu për një zgjidhje të ngecjes aktuale politike pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Ajo vë në dukje se "funksionimi tërësor i institucioneve, sidomos i Parlamentit, janë shtylla kurrizore të një sistemi të konsoliduar demokratik, si dhe një kriter i rëndësishëm politik për integrimin në BE", - thuhet në deklaratën për shtyp të Parlamentit Europian pas mbledhjes së Komitetit të Jashtëm të këtij institucioni.


Përveç kërkesës për zgjidhjen e krizës politike, grupimet politike në Parlamentin Europian, përmes rezolutës specifikojnë edhe nevojën e një sistemi gjyqësor të pavarur.


"Një tjetër parakusht për integrimin e Shqipërisë në BE është edhe reforma në sistemin gjyqësor, duke përfshirë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe sigurimin e ndarjes së pushteteve, ashtu si në një shoqëri demokratike.


Gjyqësori duhet të jetë i paanshëm dhe efikas, i pavarur nga çfarëdo lloj presioni politik apo kontrolli tjetër", - shkruhet në deklaratë.


Deklarata specifikon gjithashtu se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin, që në rezolutën e hartuar nga Kuntis, kjo çështje është ende një problem mbizotërues. Sipas deputetëve të PE-së, vendi ynë duhet të bëjë përpjekje substanciale për të konsoliduar demokracinë dhe sundimin e ligjit.


Lidington: SHBA-ja dhe Anglia po bëjnë përpjekje për rivendosjen e dialogut
Britania: Anëtarësimi, më parë zgjidhni problemet


TIRANË - Shqipëria duhet të zgjidhë sa më parë krizën politike dhe të rikthejë stabilitetin politik në vend për të garantuar një demokraci funksionale, në mënyrë që të bëhet pjesë e familjes europiane. Ky ka qenë apeli që ka bërë dje ministri britanik për Europën, David Lidington.


Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetë Britania e Madhe po bëjnë përpjekje që të vendosin dialogun politik midis forcave politike shqiptare, me qëllim që Shqipëria të ketë stabilitet politik, ashtu si të gjithë vendet e rajonit në mënyrë që këto vende të bëhen pjesë e Bashkimit Europian.


Sipas Lidington, Shqipëria përveç se duhet të zgjidhë situatën politike, ajo duhet gjithashtu që të vendosë një sistem gjyqësor të pavarur dhe një sistem mediatik të pavarur. "Është e rëndësishme që kriza politike në Shqipëri të zgjidhet. Përpjekje po bëhen nga BE-ja dhe SHBA-ja, që të sjellin pajtimin që është i nevojshëm.


Në Shqipëri, ashtu si dhe në vendet e tjera në rajon, duam të shohim stabilitet politik, demokraci funksionale, zbatimin e ligjit, gjyqësor të pavarur, media të lira. Sa më shpejt që Shqipëria të jetë në rrugë drejt anëtarësimit në BE, aq më të kënaqur do të jemi",- ka theksuar Lidington në një intervistë për BBC-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›