E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama po merret me alternativën e Enverit

Kryeministri sulmon sërish kreun e opozitës: “Krahas kësaj alternative, doli së fundi nga veprat e diktatorit mizor, alternativa e rrugës së vetme, të cilën po e qarkullon nëpër Shqipëri kryetari i Partisë Socialiste”

TIRANË Akuzat e fundit nga opozita, adresuar kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, kanë ngacmuar edhe reagimin e Kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Në prezantimin e kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, Hasan Halili, Kryeministri ka radhitur një sërë arritjesh gjatë qeverisjes së djathtë, duke shtuar se përballë saj qëndron alternativa e rrugës së vetme. Berisha tha se Rama po merret me “shpifje dhe trillime që nuk kanë lidhje me moralin e qytetarit”. “Kjo është alternativa jonë, alternativa e mundit, e djersës, e kallove, alternativa e rrudhave në ballë, alternativa e pluhurit në fytyrë, alternativa e suksesit të madh, alternativa e anëtarësimit në NATO, alternativa e anëtarësimit në Europë, e rritjes së rrogave, e rritjes së pensioneve. Krahas kësaj alternative, doli së fundi nga veprat e diktatorit mizor, alternativa e rrugës së vetme, të cilën po e qarkullon nëpër Shqipëri kryetari i Partisë Socialiste. Pavarësisht se e ka marrë nga veprat e babës të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, dua t’i them këtu se kurrë ndonjëherë më, ato kohëra nuk kthehen, mirë po ajo alternativë, përveç anës së të shkuarës së zezë, ka rikthyer anën tjetër të medaljes, të sharjes, të shpifjeve, të trillimeve që nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin e qytetarëve të lirë, me moralin e qytetarëve shqiptarë”, - tha Berisha. Ai ka ftuar Ramën që tu paraqesë shqiptarëve alternativën e tij. “Ftoj zotin Rama, si drejtues i një force politike të rëndësishme, t’ju paraqesë shqiptarëve alternativën e tij, sepse sharjet, shpifjet, trillimet, shqiptarët, si çdo komb tjetër i qytetëruar, kanë për to kazanin, kazanin dhe vetëm kazanin. Në këtë alternativë të rrugës së vetme, rruga e kombit u quajt rruga e asgjëkundit, rrugët, ndërtimet shkollat, interneti, quhen të pa qenë në këtë alternativë, përbaltet lumi i sakrificave, djersës, mundit tuaj, për të ndërtuar një Kukës tjetër, një Shqipëri tjetër”, - tha ai. Po dje në Kukës, opozita kishte paralajmëruar një takim në orën 13:00 (dy orë pas takimit të Berishës), ku do të ishte i pranishëm dhe lideri i saj, Edi Rama. Por, takimi i planifikuar u njoftua për median se do të shtyhet për një ditë tjetër. Ndërkohë, në vijim të takimeve të prezantimit të alternativës për qytetarin dhe mbështetjes së kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit, Berisha zhvilloi dje në mesditë një takim me qytetarë të Rrëshenit, Mirditë. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin dhe mbështetjen për kandidatët për kryetar bashkie në Rrëshen, Gjon Deda dhe Mark Ruçi, në Rubik, si dhe garantoi qytetarët e Mirditës se qeveria do të shumëfishojë investimet për këtë rreth dhe do të financojë çdo projekt për zhvillimin e tij.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›