Basha me autobus nëpër Tiranë: Një biletë e vetme për të gjitha linjat
Kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha, prezantoi kandidatin për njësinë numër 8 në Tiranë. Basha përshkon gjithashtu një pjesë të Tiranës me autobus dhe premton rregullim të trafikut.
Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha, i është rikthyer dje lagjes së tij të vjetër ku ka lindur dhe është rritur, për të prezantuar kandidatin për njësinë bashkiake numër 8, Arben Tafaj. “Kam emocionin më të madh të jetës sime, të ndodhem sot para jush në rrugica si këto, që mbeten për mua gjëja më e shenjtë për shpirtin tim. Zemra ime, sytë e mi, veshët e mi, gjithë ekzistenca ime është drejtuar drejt realizimit të projektit të qytetarëve të mi dhe unë do të merrem vetëm e vetëm me këtë punë. Këto vlera, kjo dashuri, mes së cilës unë u rrita, kjo edukatë qytetare, mes së cilës përpara jush këtu, nga kjo lagje, nga kjo rrugicë dhe nga dhjetëra qindra si këto anë e mbanë Tiranës nis projekti im për Tiranën moderne europiane”,- tha Basha. Një nga problemet më të mëdha në Tiranë është edhe furnizimi me ujë, dhe kanalizimet e ujërave të zeza. Kundrejt refuzimit të bashkisë për të marrë përgjegjësinë e administrimit të ujësjellës-kanalizimeve, Basha garantoi se akti i tij i parë si kryebashkiak do të jetë marrja në administrim e ujësjellës-kanalizimeve. Ai nënvizoi edhe vlerësimin e pronave të qytetarëve. “Ne do t’u japim pronarëve autoktonë dhe çdo pronari tjetër në Tiranë, mundësinë të zhvillojë pronën e tij me koeficientin më të lartë të mundshëm të zhvillimit dhe të marrë prej tij frytet më të mëdha të mundshme. Dhe jo kujt t’i bjerë bixha e të bëhet milioner, e dikush të shohë pronat t’i kthehen në baltë e në pluhur”,- tha Basha. Po dje, kandidati i mazhorancës përshkoi një pjesë të kryeqytetit me autobus. Ai ka udhëtuar gjatë paradites me linjën Kombinat-Kinostudio, ku qytetarët i kanë bërë të ditur se u duhet çdo ditë të udhëtojnë mbi 45 minuta deri në qendër të Tiranës dhe në kushte shumë të këqija. “Udhëtimi për në qendër zgjat 1 orë e gjysmë. Mbi gjysmë orë duhet të rrish në trafik deri sa të kalojë ora 8. Ka aksidente shumë kjo rrugë”, - i tha një banore Bashës në autobus. “Unë jam nga Tepelena dhe kam ardhur në vitin ‘98 në Kombinat. Kombinatin e kam gjetur me këta autobusë dhe po vazhdojmë të ecim po me këta autobusë. Inshalla e bën atë punën e tramvajit, që të shpëtojë i gjithë ky komunitet”, - tha një tjetër banore. “Jam i vendosur që në krye të Bashkisë, Unazën e Madhe të Tiranës të filloj ta ndërtoj një orë e më parë dhe jam i vendosur që të mos lejoj ndërhyrjen e politikës të bllokojë më procesin e ndërtimit të Unazës së Madhe. Eficenca e menaxhimit të trafikut tregohet edhe me ndërhyrje të vogla, siç do të jenë nënkalimet te “21 Dhjetori” dhe riparimi i këtij rrethrrotullimi, sepse mënyra sesi ky investim është bërë është e gabuar dhe jep impakt të drejtpërdrejtë në bllokimin e trafikut që në hyrje të Tiranës. Ndërtimi i parkimeve të nëndheshme do të jetë pjesë përbërëse e platformës sime në ndërhyrjet në qytet”,- tha Basha në rrethrrotullimin e “Doganës” në Laprakë. “Nga Zogu i Zi deri te rrethrrotullimi i Doganës ka vdekje për ditë, duhen nënkalime ose mbikalime”, - tha një tjetër banor. ”Do të nisim urgjentisht investimet për të ndërtuar nënkalime, për të lidhur këto pjesë rruge. Sistemi i transportit do të thjeshtohet, në mënyrë që qytetari me biletën e prerë, brenda 1 ore, brenda 2 ore, brenda 3 ore, sipas tarifës, të ketë mundësi të qarkullojë në të gjithë qytetin me një biletë”, - u përgjigj Basha.