E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet prodhimi i fletëve për Durrësin dhe Elbasanin

Ndërsa në shumicën e qarqeve, problemi i fletës së votimit ka marrë zgjidhje, megjithëse me probleme të vogla, në disa të tjera procesi ka hyrë në ngërç. Kjo pasi KQZ nuk mundet të miratojë fletën e votimit për to, pasi disa subjekte zgjedhore kanë paraqitur ankimime pranë Kolegjit Zgjedhor. Dy nga qarqet ku situata duket e bllokuar, është Durrësi dhe Elbasani, për dy njësi të të cilëve, Sukthin dhe Cërrikun, socialistët kanë paraqitur ankimim në Kolegj për kandidatët për kryetar bashkie. Por jo vetëm kaq, PS por edhe subjekte të tjera kanë paraqitur një numër të konsiderueshëm ankesash të tjera, që kanë të bëjnë me regjistrimin e kandidatëve për këshilltar komunash dhe bashkish. Për shkak të mundësisë të vendimeve në favor të pretendimeve të palëve ankimuese, KQZ e ka të pamundur të miratojë fletën e votimit për këto dy qarqe. Këtë fakt e ka bërë të ditur dje edhe drejtori i Teknologjisë në KQZ, kur i ka bërë të ditur komisionit se s’mund të merrte në shqyrtim fletët e qarkut Durrës, pasi për disa njësi të tij ishin paraqitur ankimime në Kolegj. Përveç vendimeve për regjistrime kandidatësh, socialistët kanë paraqitur dhe një sërë ankimimesh të tjera që presin vendimmarrjen e kolegjit, duke çuar në 11 numrin e tyre. Një mes kësaj morie ankimesh, që kanë paraqitur socialistët, ka të bëjë edhe me vendimmarrjen e KQZ-së për të ndryshuar vendin e disa qendrave të votimit në Tiranë sipas një kërkese të PD-së. Sipas socialistëve, KQZ nuk ka atribut ligjor për të vendosur për një çështje të tillë, që në bazë të ligjit është kompetencë e kreut të njësisë vendore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›