Sukth, konflikti për flamujt, policia arreston 37-vjeçarin
Heqja e posterave dhe e flamujve elektoralë të subjekteve politike në Sukth dhe konflikti fizik, mes mbështetësve të dy partive kryesorë në vend, ka dërguar në qeli një 32-vjeçar, kurse tre të tjerë do të ndiqen në gjendje të lirë. Albert Hoxha, G. Donshi, D. Muharremi dhe F. Meziu janë personat të cilët janë shoqëruar mbrëmjen e së hënës, fillimisht në komisariatin e policisë së Shijakut e më pas në Policinë e Durrësit. Ata janë akuzuar për kanosje, dëmtime të tjera me dashje dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike, ndërsa Albert Hoxha ka edhe një akuzë më shumë, atë të mbajtjes pa leje të armëve e municioneve. Konflikti ka ndodhur në orën 17:20 të ditës së hënë, në qendër të Sukthit, në kohën që disa simpatizantë të PS-së po vendosnin në shtyllat me flamuj të PD disa flamuj e postera të kandidatit të majtë, Selami Xhelili. Sipas burimeve policore, veprimet kanë irrituar palën tjetër, e cila ka reaguar menjëherë. Konflikti ka nisur me sharje dhe më pas, policia ka deklaruar se janë përdorur edhe mjete të forta si dhe armë zjarri. Dy simpatizantë të së majtës, Sokol Bardhi e Petrit Balla, janë lënduar në fytyrë, në gjoks e në pjesë të tjera të trupit, në kohën që janë dhunuar fizikisht nga pala tjetër. Ngjarja është përcjellë me shqetësim, si nga shtabi elektoral i PS-së në Sukth, edhe nga selia rozë. Kjo e fundit madje ka lëshuar përmes deputetit Namik Dokle deklarata, të cilat paralajmërojnë prishjen e procesit zgjedhor nga incidente të tilla. Dokle ishte në Sukth, në mbështetje të kandidatit të PS-së, në kohën që anëtarët e simpatizantët e PS-së janë urdhëruar të vendosin posterat dhe flamujt në shtyllat në anë të rrugës.