E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha me qytetarët: Që sot bashkëvendimmarrje

29/04/2011  Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, organizon një forum të hapur me banorët e kryeqytetit

Pas komunikimit on-line në Facebook, kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, ka aplikuar dje një tjetër formë të re komunikimi me qytetarët, duke i njohur me projektin e tij për një qytet evropian. “Townhall meeting”, siç quhet në anglisht, një formë e zakonshme në perëndim, e paaplikuar më parë në politikën shqiptare, u aplikua dje nga kandidati Basha. Ai iu përgjigj interesimit të qytetarëve për punësimin, trafikun, infrastrukturën, luftën kundër korrupsionit, sigurinë ushqimore, çmimet, uljen e taksave e deri tek politikat e tij për sportin. “Po ndërtojmë një përqasje të re. Afrimin e mendimit, para çdo vendimmarrjeje, sado domethënëse, strategjike apo parësore të jetë kjo për qytetin tonë. Ju siguroj kontaktin e përditshëm në identifikimin e problematikave, në diskutim zgjidhjesh dhe në bashkëvendimmarrje me ju dhe qytetarë të tjerë të Tiranës, duke filluar që sot”, tha Basha në çelje të takimit. Më tej, ai u është përgjigjur me radhë të gjitha pyetjeve që iu drejtuan nga të pranishmit. Punësimi, trafiku në kryeqytet apo cilësia e ushqimeve ishin pyetjet që shprehën interesin kryesor të qytetarëve mbi atë që kryebashkiaku i ardhshëm do të mund të realizojë. “Punësimi është absolutisht prioritet i qytetit. Është dhe mbetet prioriteti im numër një. Strategjia është kjo: ulja e taksave, fondi i garancive, një rol informativ në tregun e punës, zhvillimi i infrastrukturës. Këto sjellin më shumë para për biznesin, më shumë para për punësimin, më shumë para për rrogat. Dhe dy fusha të tjera: investimi në arsimin profesional, investimi në Tiranën turistike. Këto janë drejtimet e mia kryesore për punësimin dhe të jeni të bindur kur them 30 mijë të punësuar, e kam peshuar mirë dhe jam i sigurt se si në çdo sfidë tjetër, këtë fjalë që po e jap, do ta mbaj”, tha Basha. Lidhur me çështjen e eliminimit të trafikut të rënduar në kryeqytet, për kandidatin e mazhorancës ndërtimi i Unazës së Madhe dhe vënies në përdorim të tramvajit janë dy pikat kyçe që zgjidhin, sipas tij, këtë shqetësim të qytetarëve. “Për trafikun do të ndërhyhet në dy nivele strategjike, me Unazën e Madhe dhe tramvajin. Gjithashtu, mjafton një nënkalim tek ‘21 Dhjetori’, për të prerë një pjesë të mirë të ngërçit që trafiku ka në atë zonë të qytetit. Një ridimensionim i nyjës së trafikut te dogana, ndërhyrja te vendparkimet, është një tjetër ndërhyrje e domosdoshme për të rregulluar problemin e trafikut të rënduar në Tiranë”, deklaroi ai në përgjigje të shqetësimit të një qytetari. Për premtimin e kandidatit për një linjë telefonike antikorrupsion, ai sqaroi se nuk do të ketë vetëm një shpallje në internet të të gjitha shpenzimeve të bashkisë, si detyrim madhor, nuk do të ketë vetëm thjeshtim maksimal të procedurave, por do të ketë një mundësi të drejtpërdrejtë që qytetari të ankohet për një praktikë të cilën e gjykon potencialisht korruptive, dhe denoncime. Nëse shikohen se i kanë një bazë faktike, do t’i përcillen policisë për ndjekje të mëtejshme.

Kultura

“Unë angazhohem këtu para jush që brenda planit të ri urbanistik të gjej vendosjen e re për një galeri artesh pamore, për një teatër dhe për një qendër multimediale. Arti pamor duhet të jetë i pranishëm kudo në qytet. Ky do të jetë një prioritet i punës sime si kryebashkiak i Tiranës për sa i takon sektorit të artit dhe të kulturës.”

Ushqimi

“Agjencia bashkiake e mbrojtjes së konsumatorit, që unë e kam propozuar si një instrument për të goditur çmimet e padrejta dhe për t’i normalizuar ato, do të ketë dhe një rol tjetër: bashkëpunimin me Agjencinë Kombëtare Ushqimore, për të siguruar standardet dhe cilësinë e produkteve dhe shërbimit ushqimor në qytetin e Tiranës.”

Hapja e shkollave

“Jo më shumë se 25 fëmijë në klasë, është objektivi i parë i programit tim për sektorin e arsimit. Prandaj unë angazhohem se brenda katër viteve të ardhshme, në qytetin tonë, në territorin e Bashkisë së Tiranës do të ndërtohen gjashtë shkolla të reja 9-vjeçare dhe katër gjimnaze të reja për fëmijët tanë, me synim rritjen e cilësisë së mësimit.”

Basha: Shpronësimet do të shpërblehen me vlerë tregu

Selita ishte qëndresa e radhës e kandidatit të mazhorancës Lulzim Basha në vijim të fushatës elektorale, ku premtoi shpronësim të banorëve në kohën e duhur dhe me vlerën e tregut. “Çdo centimetër katror që do preket për të ndërtuar rrugë, do të shpërblehet me vlerë tregu. E dyta, në mënyrë arbitrare s’ka për të ndërhyrë më njeri; e treta, kudo që do ndërhyhet për të bërë një rrugë të re, do të merret parasysh edhe zhvillimi i pronës private, që të mos rrini në kasolle ku t’ju zërë çatia. U mor taksa, do jepet shërbimi. Taksat do të thjeshtohen dhe do të ulen. Të jeni të sigurt që do të punoj me mish e me shpirt që ta përparojmë projektin e Selitës, si gjithë projektet e tjera të Tiranës, në një kohë sa më të shkurtër”, i siguroi banorët Lulzim Basha, pas ankesave të shumë prej banorëve për prishje të pronës së tyre në mënyre abuzive. Selita është një zonë në të cilën mungojnë tërësisht investimet, ndonëse qytetarët i paguajnë bashkisë të njëjtat taksa si në çdo zonë tjetër. Ndërsa ka ndjekur ndeshjen e futbollit mes nxënësve të shkollave të mesme “Sami Frashëri” dhe “Partizani”, Basha tha se në projektin e tij për sportin parashikohet rikthimi i ambienteve sportive, krijimi i terreneve të reja dhe nxitja e garave mes shkollave.

Fushata elektorale e LSI

Meta: Berati ka nevojë për një kontratë të re

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është ndalur paraditen e djeshme në Berat, ku ka prezantuar para mijërave të pranishëm kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Ilir Deçolli. Në fjalën e tij Meta e vuri theksin tek domosdoshmëria për të bërë një ndryshim të rëndësishëm në krye të Bashkisë së Beratit. “Erdhi momenti për të votuar për një kryebashkiak të ri, për të votuar për Ilir Deçollin, për të votuar për një ndryshim të domosdoshëm, për një kandidat që do ta votojnë të majtë e të djathtë në qytetin e Beratit, për një kandidat që do të punojë pas 8 majit për të gjithë qytetarët pa dallime partiake. Sepse është momenti për t’i dhënë fund ndarjeve politike për interesa të ngushta në qytetin e Beratit”, tha kreu i LSI-së. Duke akuzuar kreun aktual të Bashkisë Berat se nuk firmos lejen për universitetin e ri privat, me tarifa njësoj si universitetet publike, Meta tha se s’duhet lejuar askush që për qëllime krejtësisht politike të pengohet një projekt që u shërben jo vetëm të rinjve dhe të rejave të Beratit, por e shndërron këtë qytet në një qendër shumë të rëndësishme universitare. “Ndaj të gjitha votat më 8 maj për Ilir Deçollin, të gjitha votat për kandidatët e ‘Aleancës për Qytetarin’”, kërkoi ai.

Xhaferraj prezanton projektin

“Kompleksi i pishinave, premtim i pambajtur i Dakos”

Kandidati demokrat për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferraj, prezantoi dje projektin e kompleksit të pishinave, që do të ndërtohet në vendin e mbetur shkretë te pishinat ekzistuese. Ndërtimi i një pishine ishte premtuar që katër vjet më parë nga Vangjush Dako, kryetari aktual i Bashkisë dhe rivali socialist i Xhaferrajt, por panorama e sotme tregon vetëm gropa. “Jemi këtu tek këto gropa që na la Vangjushi, për të deklaruar se i kemi projektet për të ndryshuar Durrësin”, tha Xhaferraj. Kompleksi i pishinave do të ndërtohet me fondin prej afro 5,5 milionë euro dhe do të zërë një sipërfaqe prej 5000 m2. Kapaciteti ulës i publikut në kompleks do të jetë 1500 vende, ndërkohë janë parashikuar edhe hapësirë për 300 vende parkimi për automjetet. “Noti është një sport tradicional në Durrës dhe kompleksi i pishinave do të ndihmojë në riaktivizimin e këtij sporti”, tha kandidati demokrat. Në bazë të karakteristikave të projektit që paraqiti Xhaferraj, kompleksi i pishinave do të ndërtohet për dy vjet. Në këtë projekt Bashkia e Durrësit parashikohet të kontribuojë me rreth 20 % të fondit. “Kompleksi i pishinave do të ndërtohet përmes partneritetit publik-privat”, tha kandidati Xhaferraj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›