E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Rruga jonë zhvillim i qëndrueshëm

29/04/2011  Kreu i PS-së në Durrës për projektin e së ardhmes së qytetit

Kreu socialist Edi Rama ishte dje pjesë e prezantimit të planit për të ardhmen e qytetit bregdetar të Durrësit. Kështu, ndër takimet e shumta që zhvilloi dje në kuadër të zgjedhjeve lokale të 8 majit, kryetari i PS-së zgjodhi të ishte dhe përkrah kreut të Bashkisë së Durrësit, njëherësh kandidat për një tjetër mandat në këtë post, Vangjush Dako. Ndalur në prezantimin e këtij plani, Rama veçoi si të rëndësishëm pikërisht faktin se ky projekt bazohej në argumente zhvillimi dhe jo premtime elektorale. “Është i madh hendeku mes rrugës sonë dhe rrugës së Saliut. Është e thellë diferenca në krijimin e modeleve të zhvillimit. Detyrimi ynë parësor është të shohim të nesërmen me forcën e pasionit. Kryeministri sorollatet në Shqipëri. Kryeministri është krenar për asfaltin e shtruar në bashki e komuna. Ky asfalt është detyrimi minimal, por ata nuk kanë model zhvillimi, as në nivel vendor e as kombëtar”, vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij. Gjithashtu, kreu socialist hoqi paralele mes koalicionit që ai përfaqëson dhe kampit kundërshtar, i cili, sipas tij, nuk ka asnjë ngjashmëri me realitetet që tregon kryeministri Berisha. “Realitetet tona vendore janë rrugë zhvillimi. Realitetet e tyre pa ngjashmëri me ne, realitetet e tyre tregojnë pse nuk duhen votuar. Saliu nuk është në gjendje të tregojë qoftë edhe një model të pranueshëm. Sot në Tiranë, në Durrës e kudo ne jemi në gjendje të flasim për plane strategjike të integruara. Masterplane në transport, kujdesin social, zhvillimin urban. Ku i ka Saliu masterplanet? Sensi i zhvillimit të Saliut është kuturu. Ai nuk llogarit pasojat”, vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij. Rruga e “Aleancës për të Ardhmen”, sipas Ramës është rruga e zhvillimit të qëndrueshëm në të gjitha fushat. “Çdo ditë Shqipëria humbet hektarë në pyje, humbet territore në plazhet e saj, humbet tokën bujqësore. Kjo tokë bujqësore, që është një pasuri e madhe, përditë bëhet më e pakët. Do zhvillojmë tokën bujqësore me prioritete të mirëpërcaktuara. Do hyjmë në tregun rajonal dhe evropian falë cilësisë. Rruga jonë, zhvillim i qëndrueshëm”, u shpreh Rama.

Gjinushi kritika kolegjit zgjedhor

Kryetari i Social Demokratëve, Skënder Gjinushi, ka reaguar ashpër pas vendimit të kolegjit zgjedhor për të mos regjistruar këtë forcë politike për këshillin bashkiak, në qytetin e Shkodrës. Sipas tij, ky Kolegj Zgjedhor është kthyer në një vegël të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe qeverisë “Berisha’. Gjinushi lëshoi kritika të forta edhe ndaj Komisionit të Zgjedhjeve, duke e vlerësuar një institucion që prej kohësh vepron nën urdhrat e mazhorancës. Ndërkohë vendimin e vlerësoi absolutisht absurd dhe të pabazuar në ligj. “Shprehim keqardhjen dhe indinjatën, kolegji kthehet në një maskë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komision i cili tashmë me katër vetë është kthyer në një kamikaz të Sali Berishës dhe deformimit të zgjedhjeve. Në vendimin e marrë sot kundër Partisë Social Demokrate duket qartë absurdi i tij. Kolegji Zgjedhor merr urdhra politikë, është në trysni politike. Ne i bëjmë thirrje të çlirohet, të mos bëhet pjesë e manipulimit dhe e shkeljes së barazisë së votës, e garës së ndershme”, u shpreh Gjinushi.

Problemet me listat e votuesve

Tahiri: Kallëzim penal për drejtuesit vendorë

Partia Socialiste dorëzoi dje dy kallëzime penale në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë. Sipas deputetit të PS-së, Saimir Tahiri, një padi është për ndjekjen penale të drejtuesve dhe punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme dhe një tjetër për tre drejtuesit e njësive vendore, konkretisht për Ilir Kokonën, Luzhiana Abazin dhe Blendi Fugën. “Partia Socialiste ka ngritur një grup special pune, që deri më sot ka identifikuar emër për emër, banesë më banesë, të gjitha shkeljet e faktuara nga punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, si dhe çdo person që ka ofruar vullnetarisht emrin e tij dhe të familjes për të manipuluar procesin zgjedhor nëpërmjet dublimeve në lista, mercenarëve elektoralë të paligjshëm dhe falsifikime të tjera që vënë në rrezik serioz zgjedhjet e 8 majit”, u shpreh Tahiri. Gjithashtu, sipas tij, PS ka marrë të gjitha masat që të mos lejojë askënd nga këta persona të cenojë integritetin demokratik të zgjedhjeve duke vënë dorë mbi vullnetin e zgjedhjeve. “Në asnjë mënyrë nuk do lejojmë që vullneti i qytetarëve të cenohet nga manipulimet e kusarëve në pushtet, dhe për këtë do përdorim çdo mjet e mënyrë të parashikuar nga forca e ligjit. Të gjithë zyrtarët e sipërpërmendur, por edhe të gjithë ata shtetas që kanë pranuar të vihen në dispozicion të kësaj skeme manipulative, do përgjigjen para drejtësisë dhe do ndëshkohen në mënyrë shembullore, sot e gjithmonë, sipas ligjit”, theksoi Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›