E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha merr garancinë e palës greke, për heqjen e regjimit të vizave

“Ne do të lobojmë edhe me homologë të tjerë evropianë, për të marrë sa më shpejt vendimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë”


Greqia shpreh mbështetjen e plotë për heqjen sa më shpejt të regjimit të vizave me Bashkimin Europian për qytetarët shqiptarë. Këtë e konfirmoi sot ministri i Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë Mihalis Krisohoidhis, gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë, me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. “Shqipëria ka bërë hapa vendimtarë në procesin e plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave dhe shpresoj që shumë shpejt Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së Bashkimit Europian të marrë një vendim pozitiv. Ne e mbështesim plotësisht kërkesën e Shqipërisë për heqjen e regjimit të vizave duke respektuar kushtet ligjore të BE përmes kontrolleve të rrepta në mënyrë që duke hapur kufijtë të kufizojmë veprimtarinë e të gjitha rrjeteve kriminale që përdorin këto pengesa për të shfrytëzuar njerëzit fatkeqë”, u shpreh ministri Krisohoidhis. Nga ana e tij, ministri Basha falënderoi homologun grek Krisohoidhis për mbështetjen që Greqia po jep për procesin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, e po ashtu për vendimet e ndërmarra nga qeveria greke për lehtësimin e lëvizjes së emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe për ligjin mbi dhënien e nështetësisë. “Ky proces që garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve, respekton dinjitetin e qytetarëve tanë por edhe përmirëson ndjeshëm parametrat e lëvizjes së lirë duke reduktuar hapësirat për aktivitet kriminal ndërkufitar”, tha Basha. Në takimin dypalësh, ministri i Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë Mihalis Krisohoidhis premtoi se do të lobojë edhe me homologët e tjerë të vendeve të BE, për të marrë sa më shpejt vendimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Më tej, ministri Basha informoi ministrin Krisohoidhis për arritjet e Shqipërisë në fushën e sigurisë së dokumentave, në fushën e sigurisë së kufijve dhe në luftën kundër kriminalitetit. Basha dhe Krisohoidhis diskutuan gjerësisht për lehtësimin e pajisjes me dokumenta të emigrantëve shqiptarë në Greqi, bashkëpunimin dypalësh në luftë kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ndërkufitar, shkëmbimin e informacionit dhe trajnimet e përbashkëta. Në takim u ra dakort që strukturat policore të krijojnë një database të dhënash për personat në kërkim në të dy vendet, si dhe për hartimin e një programi bashkëpunimi në fushën e trajnimeve. Takimi u mbyll me nënshkrimin e protokollit të bashkëpunimit për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe në fushat që mbulojnë Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›