Lustracioni, nën kthetrat e nostalgjisë totalitare
Fjala “transparencë”, tashmë, është konsumuar tejet, në mënyrë hipokrite, nga propaganda e mërzitshme e EdRamës. Për hir të kësaj fjale mund të biesh ndesh edhe me ligjet, madjé edhe me Kushtetutën. Falë kësaj fjale majtizmi ynë i skajshëm, domethënë majtizmi enverist, nuk di të shpjegojë se në ç’mënyrë mund të hapen kutitë e votimit. Mos të themi, pastaj se cila do të ishte dobia e këtij veprimi, kur thuhet nga po këta të etshëm se nuk mëtohet që të ketë ndërrim të numrit të deputetëve. Atëherë përse e gjithë ajo rrokopujë gërr-vërresh, për gjashtë muaj rresht, për të bërë një opozitë, si askurrkund në demokracitë euroatlantike? Aq më tepër kur ngulmohet se kjo është një domosdoshmëri që të bëhen zgjedhjet e ardhshme, tamam europiane! Në të vërtetë kësaj opozite, nuk mund t’ia drejtojë kurrizin, - siç është një thënie, - as kapaku i varrit!
Por ne, në shkrimin tonë, e kemi fjalën po për hipokrizinë, por në përkitje me detyrimin për lustracionin. Pastërtia e figurave është zvetënuar, edhe në këtë rast, nga mungesa e vullnetit të PS-së së uzurpuar nga Edvini, duke shkelur statusin e Partisë që u orvat që ta kishte të dorëhequr atë që nuk e quajti veten humbës , por fitimtar! Kontradikta është e tejdukshme: Si qenka fitimtare ajo parti, duke “respektuar” numrin e deputetëve Parlamentit, të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, në një demokraci në të cilën njihet legjitimiteti i koalicioneve? Hipokrizia propagandistike vazhdon! Gjer në atë shkallë groteske sa të gjitha kritikat e komunitetit europian kundër partisë të cilën tani e ka në dorë EdRama, si edhe prononcimet e njëzëshme të kësaj bashkësie se zgjedhjet e fundme parlamentare janë më të mirat ndër të gjitha zgjedhjet e tranzicionit, - merren kokëposhtë. Mustafa Nano, në panelin e fundit televiziv, për t’u treguar “objektiv”, arriti të përflasë me keqdashje faktorin ndërkombëtar se personat e tij nuk janë të saktë në shprehjet e tyre ndaj zgjedhjeve tona! Me fjalë të tjera, përsëriti antipatinë e tij ndaj Doris Pakut dhe ndaj të tjerëve që janë në unison me të, që të mos na ngatërrohen nëpër këmbë! U bashkua, pra, me mendimet antiperëndimore të Gramoz Ruçit! Kuptohet se bien ndesh që të dy, édhe me mendimet e FMN-së që e quan progresin ekonomik tonin, në kohën kur kanë rënë në krizë ekonomike shtete më të madha se ai yni, si çudia shqiptare, e cila nuk u prek aspak nga kriza botërore, pavarësisht se ekonomia jonë, në mënyrë të natyrshme, ka pasur ndikime tangenciale te ne. Nga pikëpamja ekonomike ajo rritje me 3% dhe rritja e mëtejshme me 2,5 % quhet pozitive, në krahasim me rënien në përqindje negative të vendeve të tjera. Kjo është e pangjashme në Ballkan dhe, aq më tepër, në Europë. E, megjithatë, nihilizmi opozitar, vazhdon...
Kështu kjo lloj opozite duket se do të dëshironte që edhe vizat të mos jetësoheshin në vendin tonë, brenda kësaj vere që vjen, sipas parashikimeve të vetë faktorit europian që, jo vetëm nuk e quan të pamundur afatin kohor që thamë, por ka ngritur édhe zërin që të mos bëhen denigrime ndaj vendit tonë. Duket se populli u dashka t’u bëjë telegram ngushëllimi këtyre antieuropianistëve, kur vendi ynë, Shqipëria, – me gjithë pengesat e një opozitarizmi të pangjashëm në të gjithë Europën, - të përfitojë vizat Shengen dhe të anëtarësohemi, pa bjerrje kohe, edhe në BE.
***
Nga sa thamë, ne nuk po zvarritemi, - pavarësisht nga pengesat opozitare, - për të realizuar aspiratat tona të hershme. Pra, do të jemi krenarë në atë Bashkësi. Por do të jemi të ndryshëm, duam-s’duam, nga vendet e tjera analoge, që i kanë dhënë fund edhe nostalgjive refraktare për luftën që kërkohej t’i bëhej totalitarizmit, të majtë dhe të djathtë. Mos të harrojmë se kemi një Rezolutë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në përshtatje me këtë subjekt. ç’kemi bërë për lustracionin? Cilët janë ata që kanë bërë çmos që kjo pastërti figurash, veçanërisht politike, të mos arrihet? Në Gjermani një arsimtar u pushua nga puna, sepse kishte bindje pro - naziste, që ua shpaloste edhe nxënësve (Te ne e kanë për nder që etërit kanë vënë firma për burgime dhe internime!) Në Poloni kanë përgjysmuar pensionet e ish-propagandistëve të komunizmit. (Te ne ish-propagandistët e komunizmit kanë pensione që ish-të përndjekurit politikë, as do të mundnin t’i ëndërronin!). Panegjirikët e E. Hoxhës i shohim, ditën për diell dhe natën me hënë në librat e Nexhmijes dhe në ovacionet e diktatorit në Pezë, me nismën e Edvinit. A duhet bërë transparencë në këto dukuri, në vend që të thyejmë ligjet e shtetit dhe Kushtetutën, për të hapur me inatçillëk kutitë e votimit?
Për prokurorët, gjyqtarët dhe hetuesit e gjyqeve politike (për të dënuar të pafajshëm), thuhet se edhe ata të pandërgjegjshëm nuk kanë faj, se kanë zbatuar ligjet! Së pari, nuk kanë zbatuar as ligjet. Sepse hipokrizia e diktaturës nuk ka bërë ligje në favor të terrorizmit, meqë vendi ynë quhej demokraci popullore(!). Së dyti, se prokurorët, gjykatësit dhe hetuesit, veçanërisht ata më sadistët, e dinin më mirë se kushdo që ishin ngarkuar për të formuluar skenarë përrallorë politikë, për të forcuar diktaturën e proletariatit, jo për të bërë drejtësi, në kuptimin demokratik dhe human të fjalës. Enver Hoxha ishte nxitësi, formuluesi i fajeve dhe urdhëruesi i ndëshkimeve, që pluralizmi edhe në embrion, të mbytej në mënyrën më mizore.
Për ta ilustruar këtë të vërtetë, i kërkoj ndjesë lexuesit për një ngjarje që e kam përjetuar vetë dhe që do ta bëj pjesë të këtij shkrimi. Në vigjilje të asaj që quhej lufta e Tiranës që përfundoi në 17 nëntorin e 1944-s, njerëzit u strehuan nëpër bodrume. Ishte hapur një panik se gjermanët do të bombardonin. Por thuhej se bombardimet mund të bëheshin edhe nga aleatët, që gjermanët ta zbraznin Tiranën sa më shpejt. Ne, familja e Ali Kuçit dhe familja çifute e Salomon (Sulejman, në pasaportë) Konfortit, banonim në një vilë, ngjitur në vijë diagonale, në drejtimin jugperëndimor, me lulishten e vilës që u bë e E. Hoxhës. Meqë në bodrumin tonë kishte lagështirë, babai im iu lut mikut të tij, Gulielm Lukës, që të vinim në katin nënëdhes të pallatit të tij. Na ndante vetëm rruga, që sot quhet rr. I. Qemali. Gulielmi, njeri bujar, pranoi menjëherë. Kështu iu shtuan atij bodrumi të gjerë, të mirëmbajtur, me ujë dhe banja, edhe të tria familjet tona. Më mirë s’kishte ku të vinte.
Isha fëmijë. Por më kujtohet si sot. Më 15 apo 16 nëntor, erdhi një detashment partizan, me një listë në dorë. Kërkonin armë. U futën në të gjitha kompartimentet e bodrumit. Komandanti i këtij ekipi dallohej nga veshja. Natyrisht ishte më i paraqitshëm. Por ishte edhe gojëmbël. Një nga bujtësit e bodrumit, një grua me mbiemër tingëllues, e njohu: - O! Xhevdeti! - Si ish-gjimnazistë në të njëjtën shkollë, sikur u veçuan. Xhevdeti e mbante në kujtesë përmendsh, një listë që e nxori nga xhepi, por e futi shpejt sërish aty, sepse kaloi njëri ndër ata të detashmentit. I tha në konfidencë bashkënxënëses së tij të mëparshme nëse ndonjëri prej atyre të listës ishte aty. Ajo kishte besim në mirësinë e Xhevdet Beqos. Dhe i bëri me shenjë se njëri prej të dyve ishte ai, Zoi Xoxa, babai im. Xhevdeti bëri sikur kaloi rreshtave të karrigeve dhe fliste me zë të ulur me secilin. Te Zoi u ndal pak më gjatë. Pa batanijet përreth dhe i tha: - Mbulohu me batanije dhe bëhu si i sëmurë.
Mua më zuri veshi pak fjalë: - T’i kam lexuar shkrimet, në “Drita”. Por dëgjova edhe: - Sa të dalë e vërteta...
Xhevdet Beqo u tha partizanëve që erdhën në kompartimentin ku kishte mbetur Zoi: - “Asnjë i listës”. Kur ikën, u zhvendosëm edhe ne, në një shtëpi tjetër. Shkurt, pas 17 nëntorit, njerëzit dolën nga strehimet. Takoheshin rrugës të njohur e të panjohur. Por e keqja merret vesh menjëherë. Vihej ré në pikëllimin e fytyrës. Paskësh qenë bërë kërdia: Në “Bristol”, në rrugën e Tabakëve, në filan vend... Të vrarët nëpër rrugë i kishin hequr. Ditët e mëpastajme nuk u bënë më ekzekutime rrugësh. Kryeqytetin e kishte pushtuar trishtimi. Ajo zonja me mbiemrin Biçakçiu e gjen nënën time dhe i tregon adresën e Xhevdet Beqos. Vajtën im atë dhe nëna ime tek ai. I pritën shumë mirë. E pa Zoin të tronditur dhe i tha; - Mos ki merak, se ajo që ishte për t’u bërë, u bë. Unë u bëra garant për ty. U thashë mos të bëjnë gabime, se Zoi ka qenë në dy burgje të fashizmit dhe në “Porta Romana”, tre. Hë për hë mos dil shumë. çdo gjë do të sqarohet.
Ishte sqaruar kryesorja: Se im atë nuk kishte qenë drejtor i gazetës “Atdheu” në kohën e pushtimit. Drejtori i saj ishte Gaqo Gogo, tanimë i arratisur.
Doemos që familjet tona u miqësuan. Kështu që mund të flasim për vlerën e tij më të qenësishme, siç folëm për një rrezikun tonë vetjak. Xhevdet Beqo ishte nga njerëzit më të kulturuar të Nacionalçlirimtares. Kishte bërë studimet universitare në drejtësi, në Itali. Vitin e fundit e kishte lënë. Kishte filluar Lufta. Pas luftës nuk mund të gjendej njeri më kompetent në fushën e drejtësisë, se Xhevdeti. I propozuan të bëhej gjyqtar. Sigurisht nuk tha jo. Por nxori dy-tri raporte. Vetëm njëri ishte me tamam. E shihnin, megjithatë, si refuzim apo si shmangie këtë qëndrim kur teneqexhinjtë bëheshin kryegjyqtarë! E bënë si konsulent juridik në një ndërmarrje të madhe. - “Marr një rrogë tri herë më të vogël, por flé rehat, amà, - i thoshte t’im eti . Dhe pastaj bisedonin për letrarin e madh André Shenié, viktimë e Robespierit (1759-1794), në Revolucionin Francez. Xhevdet Beqo ishte nga ata intelektualë me karakter, që nuk e hante turpin me bukë.