Meta-Jeremiç: Ka ardhur koha për një solidaritet dhe partneritet të ri mes vendeve të rajonit

Deklarata për shtyp e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta pas takimit me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç: “Të respektohen të drejtat e pakicës shqiptare në Serbinë jugore”
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta i apeloi qeverisë serbe, të trajtojë sipas standardeve evropiane të drejtat e minoritetit shqiptar në Serbinë jugore. Shefi i diplomacisë shqiptare u shpreh se shqiptarët dhe serbët kanë më shumë se kurrë nevojë për pajtim dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit reciprok dhe mbrojtes së të drejtave themelore të njeriut. Për këtë, Meta kërkoi më tepër vëmendje ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët tha se do t’i vizitojë gjatë ditës së sotme. Përsa i takon çështjes së Kosovës, Meta shprehu edhe njëherë qëndrimin e palëkundur të Tiranës zyrtare, mbi pavarësinë e shtetit më të ri në botë. Shqipëria dhe Serbia kanë nënshkruar edhe një Protokoll Bashkëpunimi mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme.
“Vizita ime përkon me 7 vjetorin e vrasjes së shëmtuar të një miku të dashur, i cili na mungon të gjithëve, Kryeministri Zoran Xhinxhiç, një njeri që përballoi sfidat dhe kishte vizionin dhe kurajon të kuptonte rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, në frymën e integrimit rajonal dhe evropian të vendeve tona. Kjo është arsyeja përse e nisa vizitën time këtu me homazhe të sinqerta në banesën e tij të fundit. Jam takuar sot dhe kam diskutuar në frymë konstruktive me autoritetet më të larta serbe, Presidentin Tadiç, zv/kryeministrat Gjeliç dhe Daçiç si dhe me mikpritësin tim, Ministrin e Punëve të Jashtme Vuk Jeremiç, për një erë të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilën e konsideroj si një gur themeltar për stabilitetin në rajon, për një bashkëpunim të zgjeruar në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, në shërbim të të dy vendeve, dhe për të zgjeruar njohjen mes nesh si rruga e vetme për të përmbushur aspiratat e popujve tanë për një të ardhme më të mirë, për një rajon të sigurt, një jetë më të begatë dhe një integrim të shpejtë evropian. Së bashku kemi nënshkruar sot Protokollin e Bashkëpunimit mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme, i cili afirmon bindshëm forcimin e mëtejshëm, thellimin dhe ngritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, të bazuara në vlera të përbashkëta, paqe dhe prosperitet, si një kontribut të përbashkët për të ardhmen evropiane të vendeve tona dhe të rajonit. Kemi rënë dakord të shkëmbejmë vizita në mënyrë të vazhdueshme dhe të kemi konsultime për çështje të rëndësishme në fushat politike, ekonomike, shkencore, kulturore dhe sociale, të shkëmbejmë njohurinë dhe eksperiencën për çështje të BE-së, si dhe për sfidat globale të terrorizmit ndërkombëtar dhe ndryshimeve klimaterike. Gjithashtu nënshkruajta me zv/Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm z. Daçiç, një marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunimin në fushat e luftës kundër krimit të organizuar, kontrollit kufitar dhe trafikut ilegal, që do të kontribuojë për një rajon më të sigurt. Do të punojmë ngushtë së bashku për t’i kthyer kufijtë tanë në një mur të fortë për të parandaluar aktivitetet e krimit të organizuar që sot nuk njeh kombësi, por në të njëjtën kohë do të punojmë për t’i bërë ato transparente për publikun. Dua të përgëzoj qytetarët serbë, të cilët sot mund të udhëtojnë pa viza në BE, një vendim pozitiv, të cilin presim të merret edhe për qytetarët shqiptarë brenda vitit. Shpreh bindjen se së shpejti, i njëjti regjim i lirë vizash do të aplikohet në mënyrë reciproke edhe për qytetarët tanë. Teksa vera po afron, qytetarët serbë janë të mirëseardhur të vizitojnë Shqipërinë, të kalojnë pushimet dhe të shijojnë bukuritë e vendit tim pa patur nevojë për vizë, çka e kemi aplikuar edhe gjatë vitit të kaluar. Qeveria shqiptare ka dëshirën e mirë dhe dedikimin për të finalizuar sa më shpejt të jetë e mundur, marrëveshje të tjera të rëndësishme, si njohja reciproke e diplomave, patentave, transportit ajror dhe shërbimeve, transportit rrugor të pasagjerëve dhe mallrave, postave dhe komunikimit elektronik, të cilat janë në proces. Mirëpresim çdo marrëveshje tjetër që mund të propozohet edhe nga pala serbe. Me avancimin e integrimit evropian të rajonit, shpreh bindjen se ka ardhur koha e duhur për një solidaritet dhe partneritet të ri mes vendeve të rajonit me një sinergji në objektivat e përbashkëta dhe përpjekjet për të përballuar me sukses sfidat e një perspektive dhe përqasjeje evropiane, edhe për çështje për të cilat kemi opinione të ndryshme. Për sa i përket Kosovës, Qeveritë tona kanë pozicione qartësisht të ndryshme. Por, nga ana tjetër, kemi rënë dakort se e ardhmja e mbarë rajonit është në gjirin e Bashkimit Evropian, duke mos lënë pas askënd. Gjithashtu mirëpres dedikimin e autoriteteve serbe, dhe në veçanti, atë të Presidentit Tadiç, i cili m’u konfirmua gjatë bisedimeve tona, për të rritur nivelin e investimeve, për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe integrimin shoqëror për minoritetit etnik shqiptar në Luginën e Preshevës, të cilën do t’a vizitoj nesër. Për sa i përket çështjes së ngritur nga Ministri Jeremiç, për ekzistencën e një minoriteti serb në Shqipëri, qëndrimi i Qeverisë time është shumë i qartë: çështja e ngritur do të trajtohet dhe verifikohet pas regjistrimit të ri të popullësisë, i cili do të jetë shumë transparent dhe konform standardeve evropiane. Të gjitha problemet e lidhura me minoritetet e vendeve, që më parë ishin pjesë e Republikës Federative Jugosllave, do të trajtohen përmes regjistrimit të popullësisë. Në mbarë Ballkanin, kombet tona janë diku shumicë dhe diku tjetër minoritet. E vetmja zgjidhje është të aplikojmë të njëjtat standarte evropiane për minoritetet. Gjendem këtu sot për të shprehur vullnetin tim që Shqipëria dhe Serbia, dhe Qeveritë tona mund të luajnë një rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm për një pajtim afatgjatë mes shqiptarëve dhe serbëve kudo në mbarë rajonin, si dy kombe me aspirata dhe të ardhme të përbashkët, të vendosur të përqendrojnë gjithë energjitë pozitive për të krijuar një sinergji bashkëpunimi drejt një integrimi të afërt evropian”.
...