E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll, Gerti Haxhiu, trajner i ri i Partizanit

TIRANë- Gerti Haxhiu është trajneri i ri i Partizanit. Vendimi është marrë nga administratori i klubit të kuq, Paro Laçi, pas shkarkimit të Skerdi Bejzades, pasi kishte komunikuar me median pa marrë leje tek drejtuesit e klubit.

Vlonjati Haxhiu drejtoi gjatë këtij sezoni Skënderbeun, por u shkarkua nga drejtuesit korçarë pas 17 javësh e një serie prej 12 ndeshjesh pa fitore. Apolonia dhe Bylisi janë dy skuadrat e tjera që ka drejtuar gjatë karrierës së tij Haxhiu.

Për Partizanin bëhet fjalë për trajnerin e tretë sezonal, pasi në javët e para skuadrën e kuqe e drejtoi Eduard Zhupa, por pas konflikteve me kapitenin Luan Pinari, ai u zëvendësua nga Skerdi Bejzade.

Gjatë 20-të javëve të deritanishme të Kategorisë së Parë, Partizani ka grumbulluar 33 pikë, duke u renditur në vendin e gjashtë, por duke pasur një ndeshje më pak.

Debutimi i Gerti Haxhiut si trajner i Partizanit do të nisë me ndeshjen kundër Kamzës së vendit të pestë (37 pikë), që ka për trajner një figurë të njohur të historisë së Partizanit, ish-portierin, Perlat Musta.

Partizani është duke bërë një fazë të dytë shumë të mirë, duke fituar katër ndeshjet e fundit me të njëjtin rezultat 2-0, ndërkohë që vetë lojtarët, megjithëse kundër largimi të Bejzades, janë të bindur se mund ta përfundojnë sezonin në vendin e dytë, që i çon direkt në Kategorinë Superiore.,

Partizani ka fituar 15 tituj kampionë, i fundit në sezonin e largët 1992-1993, kur trajner ishte Sulejman Starova, sot në rolin e drejtorit të përgjithshëm të klubit.

Bilanci aktual i ekipit të Partizanit është 20 ndeshje, 10 fitore, 5 barazime, 5 humbje; golaverazhi 28-22, me 35 pikë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›