Drejtori për Zgjerimin e BE, Mirel: Vendimi i KE-së për vizat, para pushimeve të verës

Komisioni Evropian do të marrë vendimin për liberalizimin e vizave me qytetarët shqiptarë, përpara pushimeve verës së 2010-ës. Këtë garanci dha pak minuta më parë, kreu i drejtorisë për Zgjerim në KE, Zhan Pierr Mirel, gjatë një konference për shtyp në Tiranë. Mirel, iu referua në fjalën e tij, posaçërisht procesit të liberalizimit të vizave, duke specifikuar se Komisioni Evropian do të veprojë ashtu siç ka premtuar, pra, marrjen e vendimit për hyrjen e Shqipërisë në “Schengen” brenda 6 mujorit të parë të 2010-ës. Mirel u shpreh i vendosur se Komisioni Europian është i angazhuar që para pushimeve të verës, të japë vendimin në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë. “Ne jemi në pritje të raporteve të ekspertëve që kanë qenë në Shqipëri. Kjo është praktika jonë e përhershme në mënyrë që të mos kemi keqkuptime. Vlerësimi ynë do të mbështetet në raportin e komisionerëve si dhe do të bazohemi në reformat që ka bërë vendi. Kishim premtuar që do ta japim vendimin tonë për Shqipërinë në mes të 2010-ës dhe do ta mbajmë këtë premtim”, u shpreh Mirel. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaroi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Drejtorin e Zgjerimit të Ballkanit në Komisionin Europian, Pierre Mirel, se “Shqipëria është më shumë se kurrë pranë liberalizimit të vizave me BE-në”. Bregu informoi gjithashtu se “reformat më të rëndësishme, si reforma në gjyqësor, ashtu edhe ligjet anti mafia dhe anti korrupsion janë vlerësuar maksimalisht sot nga pala europiane, si reforma, të cilat përmbushin kërkesat e marrëveshjes së MSA-së ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së”. “Ndoshta kjo mbledhje mund të ishte bërë në klimë më të përshtatshme politike, por mazhoranca është e gatshme në çdo kohë për konsensus politike me opozitën, mjaft që ato të bëhen brenda kritereve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, tha Bregu.
Bojkoti i parlamentit ka shkaktuar probleme, të mos vonojë zgjidhja/ Komisioni Evropian nuk kursen përsëri kritikat në drejtim të forcave politike shqiptare, të lidhura fort pas bojkotit të parlamentit. Reagimi këtë radhë ka ardhur nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit, Pierre Mirel, gjatë takimit që ka nisur sot në Tiranë të Komitetit të Stabilizim Asociimit, strukturë kjo në të cilën marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve shqiptare dhe atyre të Komisionit Europian. Në fjalën e tij, Mirel përsëri disa herë problemin serioz të bojkotit të parlamentit nga ana e opozitës, duke shtuar se vendit po i bëhet një dëm i madh, lidhur me progresin që duhet të bëjë përmes reformave, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Mirel sugjeroi gjetjen e një kompromisi urgjent pa e rënduar më tej situatën në përputhje me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e vendit. “Kompromisi politik është thelbësor për integrimin ne BE. Këto zhvillime janë dëmtuar disi nga situata politike. Bojkoti i Parlamenti ka shkaktuar probleme. Ajo që është e rëndësishme në ditët në vazhdim është Komisioni i Ligjeve duhet të sigurojë se do të ketë një qëndrim konstruktiv. Parlamenti ka një rol të rëndësishëm. Pra duhet të gjendet një zgjidhje. Për të gjetur një zgjidhje kompromisi duhet kërkuar gjatë ditëve në vijim deri më datë 18 mars derisa Parlamenti të funksionojë ashtu si duhet”, u shpreh Mirel. Drejtori i Drejtorisë së përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian, Pierre Mirel theksoi se në në këtë takim do të flitet gjerësisht për integrimin, implementimin, procesin e reformave sesi ka ecur në Shqipëri. Por ajo çfarë përfaqësia e KE ra dakord që tua bëjë të ditur mediave në këtë takim, ishte sipas Mirel, “që do vendosim theksin në partneritetin dhe konsensusin politik, që është esenciale dhe thelbësore për çdo vend”. “Konsensusi politik mes partive politike, forcave ekonomike është njëmnëyre për anëtarim në BE, është një pik e rëndësishme”, tha Mirel. Ndërsa nga ana tjetër, ambasadori i Spanjës, vendi që ka Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, Manuel Montobio, deklaroi se “dialogu politik është jetik për integrimin e vendit në unionet”. “Duhet të fokusohemi në sfidat e integrimit në Bashkimin Evropian, por fillimisht duhen kapërcyer mosmarrëveshjet politike. Kjo është pika e nisjes për Shqipërinë”, u shpreh ai. Pala shqiptare përfaqësohet në këtë takim nga ministrja e integrimit Majlinda Bregu.
...