E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha merr përgjegjësinë e drejtimit të Tiranës – dëgjon alternativën e intelektualëve

07-04-2011 / Gazeta 55

“Iniciativa për Tiranën”, një grupim i 31 intelektualëve kryeqytetas është dëgjuar dje nga Lulzim Basha, si një angazhim paraprak i kandidatit “Aleanca për Qytetarin” për ndryshimin e Tiranës. Basha: “Të mos mbetemi peng i llogoreve politike. Kandidimin për kryetar Bashkie e shoh si kontribut për qytetin dhe qytetarët”

Grupimi i shoqërisë civile organizoi dje një dialog publik për Tiranën me temë “Iniciativa për Tiranën”. I pranishëm në këtë takim ishte kandidati i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ndërsa kandidati tjetër Edi Rama nuk mori pjesë.
Kjo tryezë e organizuar nga Shoqëria civile me temë “Iniciativa për Tiranën” u mblodh për një dialog publik për kryeqytetin në ambientet e Akademisë së Arteve. Përfaqësuesit e panelit, prej 31 intelektualësh të fushave të ndryshme i kanë drejtuar pyetje kandidatit të PD-së, për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashës, pyetje këto që do t’i drejtoheshin edhe kandidatit tjetër të opozitës, Edi Ramës, i cili nuk ka qenë i pranishëm.
Kandidati i PD-së, Lulzim Basha falënderoi panelin për këtë iniciativë. “Së pari ju falënderoj për këtë iniciativë për Tiranën, e cila ka qenë një ëndërr për mua. Energjitë e këtij qyteti janë zgjuar dhe po rrjedhin në drejtim të këtij qyteti. Shpreh vlerësimin për këtë panel dhe ajo që ju përfaqësoni, është i armatosur më së miri për në një këndvështrim të ri. Lufta për të vërtetën dhe interesi publik janë të pazëvendësueshëm”, ka deklaruar kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha gjatë këtij takimi me Shoqërinë civile.
Basha nënvizoi më tej se angazhimi i tij është një kontribut për qytetin e Tiranës.
“Unë përsëris angazhimin tim duke e parë këtë jo si një garë por si një kontribut. Unë e di se realiteti politik e ka llogorizuar diskursin publik, dhe ka një përpjekje që do ta llogorizojë dhe më tej, të na fusë të gjithëve në llogore. Unë mendoj se kjo nuk i shërben askujt. Unë jam i vendosur të jap kontributin tim, për vizionin tim, planet e mia, platformat e mia, në funksion të shqetësimeve, halleve, dhe vizionit të qytetarëve të Tiranës për të ardhmen e këtij qyteti, dhe kurrsesi jo në funksion të një lufte politike”.
Ndër të tjera Basha theksoi se angazhimi  i tij do të jetë vetëm në frymën e kontributit. “Unë marr përsipër në këtë garë, në frymën e kontributit tim personal, por dhe të peshës së përgjithësisë, për të përfaqësuar sa më mirë, sa më denjësisht, platformën për zgjidhjen  e problemeve, halleve të qytetarëve të Tiranës dhe për shtrimin e rrugës drejt një Tirane, e cila ecën me një plan afatgjatë zhvillimi, dhe nuk zhvillohet me planin “pa plan”, se edhe plani “pa plan” është një plan, është një plan që nuk i shërben kësaj konstituence, nuk i shërben qytetarëve të Tiranës, i shërben vetëm një grushti shumë të ngushtë njerëzish”, ka theksuar Basha.
Përfaqësuesit e panelit i cili përbëhej nga intelektuale të njohur si: Zhani Ciko drejtor i TOB, Halim Kosova mjek, Nevila Nika historiane, Dhori Kule rektori i UT, Ali Oseku profesor, Zef Preçi ekonomist, Alush Shima piktor, Kujtim Çashku pedagog, Besnik Aliaj inxhinier, etj.,  kanë zhvilluar një diskutim të hapur mbi Tiranën
Kandidati i Partisë Demokratike, Basha ka shprehur vlerësimin e tij për këtë panel dhe rolin e tij.
“Unë jam prej afro 10 ditësh, në kuadër të kësaj fushate mes qytetarëve, duke thithur drejtpërdrejtë mendimin e tyre, për shqetësimet, problemet e përditshme e deri tek vizioni i tyre, dëshirat e tyre, shpresat e tyre për të ardhmen, por mendoj se ky panel dhe ajo që ju përfaqësoni, është i armatosur më së miri, për një pikë vështrim edhe më të dobishëm edhe më të drejtpërdrejtë, dhe armët tuaja, si armët e çdo intelektuali, janë dy: lufta për të vërtetën dhe interesi publik. Këto dy element janë të pazëvendësueshëm prandaj dhe diskursi i sotëm është i pazëvendësueshëm, dhe jam i bindur që është i pazëvendësueshëm për çdo kandidat, jam i bindur që i tillë është edhe për zotin Rama. Pavarësisht se ai sot nuk gjendet këtu, por shpresoj se gjithsesi do ta ndjekë këtë forum”, është shprehur më tej Basha.
Gjatë fjalës së tij, Basha ka vënë theksin te politika për të cilën u shpreh se, “politika fatkeqësisht ka nevojë, ka nevojë të ngutshme për digën e interesit qytetar,  sot kërkon edhe kontributin tuaj, në mënyrë që në garat që shpesh herë shndërrohen në luftë, të mos sakrifikojmë interesat e momentit për vizionin afatgjatë të zhvillimit, të mos sakrifikojë interesat e momentit për të ardhmen e fëmijëve tanë”.
Ndër të tjera kandidati i PD-së, Basha tha se duke marrë parasysh  preokupimet e shprehura nga shoqëria civile, shpreson që t’ju kthejë përgjigje herën tjetër në takimin e radhës, ku do të angazhohet në një debat me ta. “Angazhimi i im do të jetë në frymën e kontributit, unë përfaqësoj vizionin, vullnetin e një grupimi politik për Tiranën”, tha në përfundim të fjalës së tij kandidati i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Elda Tomani

Besnik Aliaj: Plani rregullues i Tiranës, çështja më urgjente për kryeqytetin

Arkitekti dhe urbanisti Besnik Aliaj vlerësoi dje se “plani rregullues i zhvillimit urban” është problemi më urgjent për Tiranën. Duke marrë fjalën në tryezën “Iniciativa për Tiranën”, me pjesëmarrjen e intelektualëve të njohur, urbanisti Aliaj tha se “për këdo që do të jetë kryetari i bashkisë pas datës 8 maj puna duhet filluar në mënyrë urgjente dhe nga germa ‘A’ me planin rregullues të zhvillimit urban të qytetit”.
“Kjo histori për 20 vjet është zgjatur, është bërë tërkuzë dhe mos bërja e këtij plani ka qenë vetëm një alibi se çfarë ka ndodhur në këto vite në qytet. Fillimi i punës me një plan rregullues, mendoj se është shenja dhe akti më i mirë qytetar për të marrë mbështetje dhe vullnet politik nga qytetarët, për të ecur me ndryshime radikale në qytet”, u shpreh Aliaj.
Një tjetër problematikë e ngutshme për Tiranën, sipas urbanistit Aliaj është ndërhyrja në mënyrën e qarkullimit në kryeqytet.
“Kemi nevojë urgjente që të reformojmë sistemin e komunikimit dhe transportit në kryeqytet, si nga pikëpamja e formës, ashtu dhe nga investimet në infrastrukturë e në rrugë të reja, të cilat rajonit të Tiranës së madhe, në qytet dhe komunat përreth, i mungojnë të paktën 170 kilometra, sipas përllogaritjeve të bëra. Aktualisht, kjo e përplas gjithë trafikun në rrugët që çojnë deri në brendësi të qytetit”, u shpreh Aliaj.
Një rekomandim tjetër i tij në tryezën për Tiranën ishte nevoja për të depërtuar një orë e më parë në brendësi të qelizës së qytetit, që është lagjja dhe blloku i banimit.
“Vetëm përmirësimi i kushteve të jetesës në këtë hapësirë publike, ku zhvillohet jeta reale e qytetit, do të jetë njësia matëse ku ajo do të reflektohet”, theksoi Aliaj.    
Ai vlerësoi tryezën e intelektualëve, duke e konsideruar atë një akt që “duhet të kthehet në një proces komunikimi, midis kryetarit të ardhshëm të bashkisë dhe komunitetit të qytetarëve, pasi që këtu do të bëjmë dallimin në mënyrën e modelit të qeverisjes së qytetit dhe do të kemi një koncept bashkëkohor dhe modern”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›