Bizhga: Policia në shërbim të fushatës së PD-së
Partia Socialiste ka akuzuar Policinë e Shtetit se është vënë në shërbim të fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike.
Në fjalën e tij në seancën plenare deputeti i PS-së, Gazmend Bizhga ka theksuar në Kuvend se janë shfaqur “bandat e të fortëve” që mbështesin kandidatët e PD-së të cilët kanë shkaktuar një sërë incidentesh, për të cilat policia nuk ka reaguar.
“Policia e shtetit është vënë në shërbim të fushatës së kandidatëve të qeverisë për zgjedhjet lokale. Njësoj si në zgjedhjet e shkuara shfaqen bandat e të fortëve të kandidatëve të qeverisë dhe policia po bën një sy qorr dhe një vesh shurdh”, deklaroi Bizhga.
Ai gjithashtu i bëri thirrje punonjësve të policisë së shtetit të mos bëhen pjesë e kësaj maskarade dhe korrupsionit ligjor. “Kjo qeveri i ka ditët e numëruara dhe kush shkel votat e shqiptarëve do të përballet para ligjit”, theksoi Bizhga.