E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha "mund" Prokurorinë në Apel

Dje gjykata e Shkallës së dytë la në fuqi vendimin e Tiranës dhe kërkesën e Bashës për mosnjoftimin e akuzës

Akuza: Vendimi i dhënë është i pavlefshëm për çështjen. Do bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë

TIRANË- Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e gjyqtares Fatmira Hajdari, e cila dhjetorin e vitit të kaluar deklaroi të pavlefshme fletëthirrjen e prokurorisë për të pandehurit Lulëzim Basha dhe Andi Toma për njohjen me akuzat ndaj tyre.


Po ashtu ajo ishte e vlefshme për prokurorinë edhe pyetjen e tyre në cilësinë e të pandehurve për abuzimet e konstatuara në hetimin e skandalit të ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë.


Treshja gjykuese e kryesuar nga Pajtim Hoxha, pasi dëgjoi ankimin e akuzës, që kundërshtoi vendimin e Shkallës së Parë të firmosur me 15 dhjetor 2008 nga Fatmira Hajdari si dhe mendimin e mbrojtësve, la në fuqi vendimin e Hajdarit.


Ky vendim mori formën e prerë që në momentin e shpalljes, duke deklaruar të pavlefshme të gjitha veprimet dhe aktet hetimore e procedurale të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme pas datës 6 nëntor 2008. Në këtë kohë, kjo gjykatë vendosi "mbylljen" afatet hetimore ndaj të pandehurve të kësaj dosjeje.

Burimet zyrtare nga organi qendror i akuzës, u shprehen se "ky vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe vendimi i djeshëm i Apelit është absolutisht i pavlefshëm dhe i paligjshëm njëkohësisht, pasi nuk janë këto gjykata kompetente për shqyrtimin e veprimeve hetimore ndaj personave me imunitet",-u shpreh një nga zyrtarët që ka pozicionin drejtues në Prokurorinë e Përgjithshme, por që nuk dëshiroi të identifikohet.


Gjithashtu, shtoi zyrtari i akuzës, se "vendimi i Apelit nuk ka vlerë dhe nuk ndryshon absolutisht asgjë tek Gjykata e Lartë e cila ka marrë në shqyrtim tashmë dosjen penale ndaj të pandehurve Lulëzim Basha e Andi Toma.


Ky vendim, ka vetëm përfitim moral për ish-Ministrin e Transporteve Lulëzim Basha dhe ish-vartësin e tij Andi Toma që mban detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshëm të Rrugëve pranë Ministrisë së Transporteve, dhe tregon edhe njëherë se gjyqtarët nga presioni i politikës shkelin ato ligje që nga ata duhen respektuar",-u shpreh i irrituar për "Shekullin" një nga zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme.


Ka qenë ky institucion, që mesditën e 15 marsit ka kërkuar nga Gjykata e Apelit, kundërshtimin e vendimit të gjyqtares Fatmira Hajdari e cila pranoi të shqyrtojë ankesën e ministrit Basha edhe pse ai është me imunitet dhe shpalli më pas të pavlefshme fletëthirrjen e organit të akuzës drejtuar të pandehurve të kësaj dosjeje për njohjen me akuzat, marrjen në pyetje si të pandehur dhe njohjen me përfundimin e hetimeve për çështjen e skandalit të ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kalimash si pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Në vendimin e 15 dhjetorit, Gjykata e Shkallës së Parë kishte arsyetuar se "më datë 25 nëntor 2008, i pandehuri Basha është njoftuar me anë të një shkrese përcjellëse të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas së cilës ministri i Jashtëm duhet të paraqitej më 27 nëntor, ora 14:00 tek prokurori i çështjes, Arben Kraja, për t'u njoftuar me aktet e njoftimit të akuzës dhe njohjen me përfundimin e hetimeve, që Prokuroria e Përgjithshme kishte konstatuar në hetimin gati dyvjeçar ndaj të pandehurit Lulëzim Basha e Andi Toma, që të dy të pandehurit refuzuan të paraqiten dhe kërkuan pavlefshmërinë e tyre në Gjykatë që u pranua nga gjyqtarja Fatmira Hajdari.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›