Fatmira Hajdari cilësoi të pavlefshëm hetimin pas 6 nëntorit
Në përfundim të hetimit dhe të shqyrtimit gjyqësor, gjykata krijon bindjen se kërkesa për deklarimin e pavlefshme të akteve procedurale si, fletëthirrja e datës 24 nëntorit, 2008, si Akti i Njoftimit te Akuzës, i datës 27 nëntor 2008, të përpiluara nga Prokurori Arben Kraja pas përfundimit të afateve të hetimeve paraprake, në lidhje me procedimin penal Nr.1 të vitit 2007 , janë të pavlefshme.
Së pari, në analizim të provave, sipas gjykatës rezulton se aktet procedurale të ndërmarra pas përfundimit të afateve të hetimeve paraprake, siç janë fletë -thirrja e datës 24 nëntorit 2008, si dhe Akti i njoftimit të Akuzës, i 27 nëtorit 2008, ndaj Lulzim Bashës, aktualisht ministër i Jashtëm dhe deputet, janë përpiluar pasi kishin përfunduar afatet e hetimeve paraprake.
Në këto kushte Gjykata kishte arsyetuar se dy aktet procedurale janë të pavlefshme. Së dyti, Prokuroria me 6 nëntor të vitit të kaluar kishte marrë një vendim në lidhje me zgjatjen e afatit të hetimeve për procedimin penal Nr. 1, viti 2007. Kjo me qëllim që aktet procedurale të goditura në këtë kërkesë të ishin të vlefshme. Ky vendim është shfuqizuar nga gjykata, çka i bën aktet procedurale të pavlefshme. Së treti, Në bazë Kodit të Procedurës Penale:
"Kur gjykata pranon ankesën, hetimet nuk mund të vazhdojnë ose vazhdojnë vetëm për një afat të caktuar nga gjykata. Në rastin konkret ndaj vendimit të prokurorisë të 6 nëntoit të vitit 2008, për zgjatjen e afatit të hetimit për një afat 1 mujor është kundërshtuar nga palët nën hetim, dhe Gjykata më datën 18 nëntor 2008, ka vendosur shfuqizimin e vendimit të datës 6.11.2008, të përfaqësuesit të Zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me zgjatjen e afatit njëmujor mbi këtë çështje.
Gjykata pasi analizoi provat dhe faktet e sipërcituara, vendosi t'i konsiderojë të pavlefshme të dy aktet procedurale, flete-thirrjen si dhe njoftimin e akuzës, të cilat janë të ndërmarra nga Prokurori Arben Kraja, pas përfundimit të afatit të hetimit paraprak, në lidhje me procedimin penal Nr. 1 viti 2007.