E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Pse duhet miratuar buxheti 2009

Kryebashkiaku u është përgjigjur dje të gjitha ankesave të PD-së dhe LSI-së në lidhje me buxhetin

TIRANË- LSI-ja dhe PD-ja mbetën të vetme mbrëmë, në minorancë, gjatë votimit për buxhetin e Tiranës. Aleatë të së djathtës thanë se po votonin më në fund "pro" buxhetit në parim, gjë që është konsideruar si një fitore në kampin e majtë, por që nuk është pranuar në asnjë mënyrë nga PD-ja dhe LSI-ja.

Maratona me emrin "mbledhje e Këshillit Bashkiak", zgjati për më shumë se gjashtë orë. Kryebashkiaku Edi Rama, që në fillim sqaroi mungesën e tij në mbledhjen e kaluar, duke thënë se e kishte bërë këtë për ta lënë Këshillin të diskutonte i qetë.


Që në momentet e para, kuptohej se kjo mbledhje nuk do të ishte si të tjerat. Mediat madje ishin instaluar për ta transmetuar atë direkt dhe interesi i publikut dukej që ishte maksimal. Procedurat filluan me një kërkesë të përfaqësuesve socialistë për të verifikuar mazhorancën e pranishme në sallë.


Si të parandienin atë që do të ndodhte më pas, forcat e kombinuara të LSI-së dhe PD-së e hodhën poshtë edhe këtë kërkesë të thjeshtë. Më pas fjalën e mori kreu i Bashkisë Edi Rama, duke sqaruar një për një të gjitha pikat e diskutueshme të buxhetit, të cilat për më shumë se katër javë ishin shndërruar në një mollë sherri midis këshilltarëve. "Kam ndjekur me vëmendje dhe kam mbajtur shënim të gjithë pretendimet e kundërshtarëve të projektbuxhetit të paraqitur nga bashkia për vitin 2009.

Çdo buxhet ka të mirat dhe të këqijat e tij. Nuk ka dyshime se në çdo buxhet ka pika ku mund të kapesh. Mua më rezulton, nga ajo sa kam parë këto ditë, se më shumë është një qasje e gabuar e bllokuesve të buxhetit, që vjen, me sa kuptoj, nga mosleximi dhe moskuptimi i tij", - tha Rama në krye të fjalës, ndërsa renditi më poshtë një për një çdo pikë të debatueshme.



Pika e parë ku Kryetari i Bashkisë nisi sqarimin e kundërshtarëve të projektbuxhetit ishte Sheshi "Skëndërbej". Më herët, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Kryetarja e grupit e LSI-së në Këshillin Bashkiak, Monika Kryemadhi, kishte hedhur akuza ndaj bashkisë së Tiranës se kishte derdhur miliarda lekë për ndërtimin e Sheshit "Skënderbej", dhe gjendja e sheshit qendror të kryeqytetit ishte e mjerueshme. "Nuk e di se nga i merr të dhënat zonja Kryemadhi, por Bashkia e Tiranës nuk ka derdhur asnjë lek investim në Sheshin "Skënderbej", përjashto rregullime të vogla. Ne kemi një projekt për këtë shesh dhe falë emirit të Kuvajtit jemi në finalizimin e tij, gjë që do të mundësojë të kemi një shesh shumë më ndryshe se sot", - tha Rama, ndërsa i kërkoi qeverisë të zhbllokojë projektin e Unazës së vogël, që ka mbetur peng i shpronësimeve, për të lehtësuar në këtë mënyrë trafikun në shesh.


SHKOLLAT


Shkollat e diskutuara nuk janë në buxhetin 2008
Në mbledhjen e djeshme, kryebashkiaku i është përgjigjur edhe çështjes së shkollave dhe kopshteve. Ai mohoi që shkolla 9-vjeçare "1 Qershori", të jetë përfshirë si në buxhetin e vitit 2008, ashtu edhe në atë të vitit 2009. Po kështu, Rama mohoi i bindur se Kopshti Nr. 27, instalimi i sistemit ngrohës në kopshtin 21, rikonstruksioni i shkollës "Mysine Kokalari", ndërtimi i shkollës "Kongresi i Manastirit", të jenë të përfshira në të dyja buxhetet, sikurse është pretenduar nga LSI-ja, gjatë gjithë periudhës kur ajo mori përsipër të bashkojë votat me PD-në për të bllokuar projektbuxhetin. "Nuk është mungesë transparence nga bashkia, por ju nuk keni lexuar buxhetin. Ju thoni se bashkia nuk ka bërë akoma bilancin e vitit 2008. Me ligjin organik 9936, të miratuar së fundi nga Kuvendi, mbyllja faktike e buxhetit të vitit paraardhës bëhet gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2009," - tha Rama.


FONDET
Si shpërndahet buxheti 2009
Rama ka shpjeguar dje edhe shpërndarjen e fondeve të buxhetit. "Ju ngrini shqetësimin se ku do të shkojnë 19 milionë euro. Po të lexoni buxhetin do ta kuptoni. Megjithatë, po ua them unë: fondet në këtë buxhet janë ndarë në dy pjesë; fondet që shkojnë për qytetarët, që janë investimet dhe që zënë 43 për qind të tyre dhe fondet që shkojnë për shërbime, si ngrohje në shkolla, përkrahje sociale, etj., që janë 57 për qind", - sqaroi Rama. Gjatë gjithë fjalës së tij, përfaqësues të ndryshëm, herë nga LSI-ja, herë nga PD-ja e herë nga të dyja forcat njëkohësisht, i ndërprisnin fjalën Kryetarit të Bashkisë, duke kërkuar hollësi. Në disa momente situata merrte tone groteske, kur palët i dërgonin romuze dhe batuta njëra-tjetrës, ndërkohë që orët kalonin me shpejtësi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›