E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja pakt me PD-në në Korçë, dështon votimi i buxhetit

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi: Akti i LSI-së, është i turpshëm.


KORÇË- Lëvizja Socialiste për Integrim lidh paktin e dytë me demokratët kundër PS-së. Mbledhja e Këshillit Bashkiak e qytetit të Korçës, e thirrur për miratimin e projektbuxhetit të vitit 2009, ka dështuar teksa PD-ja dhe LSI-ja janë bërë bashkë, duke rrëzuar kuorumin e nevojshëm për miratimin e projektbuxhetit.

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, e ka cilësuar të turpshëm veprimin e LSI-së dhe këshilltarëve të saj, sa kohë që kjo forcë bashkëqeveris me PS-në bashkinë më të madhe të Juglindjes.


Mbledhja e djeshme, ku rend kryesor të ditës kishte pikërisht buxhetin e vitit 2009, ka filluar me reagimin e Kryetarit demokrat të grupit të këshilltarëve bashkiakë, Pëllumb Beqiri. Ky i fundit tha dje se nuk mund të votohej një projektbuxhet, që, sipas tij, nuk i shërben Korçës dhe më tepër kur bashkia nuk ka sjellë raportin e realizimeve të vitit të kaluar, të kërkuar prej disa ditësh.


Kaq është dashur që këshilltarët e djathtë të largohen duke bojkotuar mbledhjen, ndërsa të njëjtën gjë ka bërë dhe LSI-ja nëpërmjet Kryetarit të grupit të saj, Riza Ashimi.


Edhe Ashimi ka deklaruar se në këtë projektbuxhet nuk janë përfshirë kërkesat e qytetarëve të Korçës, duke qenë në të njëjtën linjë me PD-në, teksa ka theksuar se këshilltarëve të LSI-së nuk u është vënë përpara raporti i realizimeve të vitit të kaluar.


Më pas, tre përfaqësuesit e LSI-së janë larguar, ndërsa këtij grupi i është bashkuar dhe një këshilltar i PAD-së, duke e çuar në 19 numrin e këshilltarëve kundër atyre të PS-së, të cilët kanë mbetur vetëm 16.


Pas largimit, Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, tha se LSI-ja, në mënyrë të veçantë, duhet të votojë për këtë buxhet, pasi ajo ka qenë bashkudhëtare në qeverisjen me PS-në, ndaj dhe përgjegjësitë janë të përbashkëta. Sipas tij, buxheti nuk mund të prishet nga persona që vijnë si turistë për fundjavë në Korçë dhe japin direktiva politike.


Pas reagimit, një prej tre këshilltarëve të larguar të LSI-së, Klara Bala, është bashkuar sërish me socialistët, duke pohuar pas mbledhjes se vota e saj do të jetë "pro" këtij buxheti, në mbledhjen e ardhshme.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›