E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Berluskoni, zbulohet marrëveshja dypalëshe

Në rast se pala italiane vëren ose ka fakte që konstatojnë veprime korruptive në zbatimin e projekteve, ajo ka të drejtë që të tërhiqet nga marrëveshja.


Italia kushtëzon marrëveshjet
me luftën kundër korrupsionit


TIRANË- Angazhimi i qeverisë për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, nuk bind jo vetëm për opinionin vendas, i cili në të gjitha sondazhet e realizuara shprehet ende skeptik për pritshmërinë në këtë drejtim, por as partnerët ndërkombëtarë.

Ky skepticizëm shihet edhe në marrëdhëniet që shteti ynë krijon me vendet e tjera, të cilat nuk ngurojnë të kërkojnë garanci nga qeveria jonë për luftimin e fenomenit të korrupsionit, sidomos kur bëhet fjalë për zbatimin e projekteve të financuara me paratë e tyre.


Një gjë e tillë është konkretizuar në një klauzolë të posaçme edhe në marrëveshjen në kuadër të "Bashkëpunimit për Zhvillim", që Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Italisë ka nënshkruar më datën 2 dhjetor të vitit 2008, në prani edhe të kryeministrave Sali Berisha dhe Silvio Berluskoni dhe që ditët e fundit ka mbërritur në Kuvend për ratifikim.

Korrupsioni


Rezultatet e munguara në fushën e korrupsionit, duket se kanë detyruar palën italiane që t'i imponohet qeverisë shqiptare me një nen të posaçëm në marrëveshjen, "Bashkëpunim për Zhvillim", për t'i kërkuar kësaj të fundit që të jetë e rigoroze në zbatimin e të gjitha projekteve konkrete, që do të realizohen mbi parimet dhe bazën ligjore që parashikohet në të.

Në nenin tetë të kësaj marrëveshjeje, qeveria italiane kushtëzon zbatimin e mëtejshëm të saj dhe të projekteve konkrete ekonomike dhe sociale me zbatimin korrekt të tyre nga pala shqiptare. Në rast se pala italiane vëren ose ka fakte që konstatojnë veprime jo ligjore në zbatimin e tyre, atëherë ajo ka të drejtë që të tërhiqet nga marrëveshja.


"Çdo akt apo fakt që të çon në këtë lloj veprimi (korrupsion), përbën element të mjaftueshëm për t'u tërhequr nga marrëveshja ose për të ndërmarrë çdo masë tjetër korrigjuese të parashikuar nga legjislacioni i palëve", - thuhet në këtë nen.


Ndërkohë që, në dispozitën pasardhëse parashikohet e drejta e qeverisë italiane për të kryer pranë enteve zbatuese të gjitha rishikimet e llogarive ose kontrollet administrative që i quan të nevojshme dhe që kanë të bëjnë me përdorimin e fondit italian në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje.


Tërheqja e njërës palë nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje, nuk do të prekë ato projekte, të cilat janë në zbatim. Vendosja e këtyre dy neneve në këtë marrëveshje tregon qartë interesimin që kanë të huajt, që paratë që japin për popullin shqiptar, të venë në destinacion dhe jo në xhepat e ndonjë qeveritari, ashtu sikurse ndodh shpesh në vendin tonë.



Marrëveshja

Marrëveshja kuadër e bashkëpunimit mes dy vendeve tona përcakton afatet dhe kushtet, përmes të cilave qeveria italiane, nëpërmjet Kooperacionit Italian dhe Enteve Zbatuese të iniciativave të financuara nga kjo zyrë, zotohet të ndihmojë qeverinë shqiptare.


Ajo parashikohet të gjejë zbatim në të gjitha aktivitetet mbështetëse të ofruara nga Kooperacioni Italian, përfshirë këtu ato të rregulluara nga marrëveshjet e projekteve ose nga akte të tjera të arritura mes palëve, që kanë për qëllim të disiplinojnë projekte specifike në tërësi ose pjesërisht.


Kjo marrëveshje mundëson bashkërendimin më të mirë të ndihmës italiane, duke ofruar një kuadër të plotë ligjor, i cili do të shërbejë si bazë për orientimin e marrëveshjeve të ndihmës specifike për fusha të ndryshme ekonomike e sociale. Në të parashikohen kriteret dhe kushtet e përgjithshme për zhvillimin e bashkëpunimit, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, të bazuara në financime grantesh.
Fejzi Braushi

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›