E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhbllokohet vendimmarrja

Kuvendi ka miratuar me konsensus dekretin e Presidentit, për emërimin e Admir Thanzës në Kushtetuese

në Kushtetuese, zgjidhet Thanza

TIRANË- Admir Thanza është anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese. Ndryshe nga sa ishte parashikuar në rendin e ditës, qoftë të Komisionit të Ligjeve, ashtu edhe atë të seancës plenare, Kryetarja e Kuvendit ka përfshirë dje për votim dekretin e Presidentit të Republikës Bamir Topi, për emërimin e Admir Thanzës anëtar të Gjykatës Kushtetuese, si plotësues i vendit të mbetur vakant pas largimit për shkak të moshës të Gjergj Saulit.


Ashtu si edhe anëtarët e KQZ-së, Thanza është paraqitur një herë paradite në seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, ku ka bërë prezantimin e CV-së së tij, ndërsa asnjëri prej deputetëve nuk ka preferuar të japë ndonjë vlerësim paraprak për kandidaturën e tij, duke preferuar që të shprehen me votë.


Por edhe seanca e pasdites ka qenë pozitive për dekretin e kreut të shtetit, pasi Thanza, gjatë votimit ka marrë 107 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime, çka reflekton dhe pëlqimin e të dyja palëve në Kuvend. Thanza, përpara se të bëhet pjesë e këtij organi kushtetues, duhet që të betohet më parë para kreut të shtetit në një ceremoni të posaçme.


Ai do të ketë një mandat të kufizuar në një vit e gjysmë, aq sa i kishte mbetur edhe ish-Kryetarit të kësaj gjykate, Gjergj Sauli. Ndërkohë që zgjedhja e tij në këtë post të rëndësishëm, pritet të jetë decizive për balancat në Gjykatën Kushtetuese, të cilat që pas largimit të Saulit, duket se mbeten të fiksuara në ekuilibër katër me katër, çka e bënte të vështirë dhe vendimmarrjen në këtë institucion.

Por, vetë fakti se kandidatura e tij u votua nga një shumicë e konsiderueshme votash pro nga të dyja krahët e politikës, tregon qartë se si e majta ashtu edhe e djathta kërkojnë të mos e paragjykojnë atë për anësi politike.


Vota e tij në këtë institucion merr një rëndësi të madhe tani kur kjo gjykatë pritet të marrë në shqyrtim kërkesën e Partisë Socialiste për shpalljen e antikushtetueshmërisë së ligjit të dosjeve.

E rëndësishme është se Thanza nuk do të mund të atakohet nga forcat e ndryshme për konflikt interesi në gjykimin e kësaj çështjeje, pasi formimi i tij arsimor dhe profesional është i pas viteve të komunizmit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›