E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektbuxheti i Tiranës, nuk arrihet konsensusi

Grupi i LSI-së në Këshill, u vë kushte socialistëve për të miratuar projektbuxhetin. Bashkia nuk ka ndërmend të tërhiqet

Ende i vështirë konsensusi për buxhetin e Tiranës. Mbledhja e djeshme e komisioneve, përveç debateve të tejzgjatura, nuk solli asnjë lajm të mirë për projektbuxhetin bashkiak të Tiranës për vitin 2009. Grupi i LSI-së në Këshill, bashkë me atë të PD-së, në mënyrë të sinkronizuar u thanë edhe njëherë "jo" fondeve që llogariteshin të shkonin për një sërë investimesh të rëndësishme për kryeqytetin.

Burime pranë "Shekulli"-t i thanë dje gazetës se, pavarësisht konsultimeve të gjata për të gjetur gjuhën e përbashkët që do të sillte zhbllokimin e buxhetit, nuk u arrit të gjendet konsensusi i duhur.


Sikurse pritej, ka qenë sërish grupi i këshilltarëve të LSI-së që ka ngulmuar më shumë në mendimin për të mos i dhënë votën projektbuxhetit të sjellë për miratim nga bashkia. Anëtarët e LSI-së u kanë parashtruar disa kushte socialistëve në Këshill, në këmbim të votës që do të sillte miratimin e projektbuxhetit.


Ata i kanë kërkuar Bashkisë së Tiranës të rishikojë buxhetin, duke kërkuar që të mbizotërojnë idetë e tyre në zëra të tillë si, infrastruktura rrugore, arsimore. Gjithashtu, ata vunë si kusht vendosjen e më shumë investimeve për minibashkitë që mbulohen nga kryetarë të dalë nga LSI-ja.

Kushtet e vendosura nga këshilltarët e LSI-së janë përkrahur intensivisht nga grupi i PD-së në Këshill, i cili në disa raste ka qenë edhe më pasionant në mbrojtjen e këtyre kërkesave sesa vetë këshilltarët e LSI-së që shikonin me një farë habie dilematike mënyrën sesi kolegët demokratë luftonin për të thelluar përçarjen midis dy të majtave.



Konsultimet për buxhetin dhe pritja për të rënë në një konsensus të mundshëm, kanë zgjatur deri në pasditen e vonë. Ndërsa kanë hasur në rezistencën e bllokuesve të buxhetit, socialistët në Këshill ia kanë lënë gjithçka në dorë kryebashkiakut Rama, i cili do të vendosë nëse do të pranojë ose jo kushtet e vendosura nga LSI-PD-ja. Gjithçka pritet të mësohet sot, në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, që mblidhet jashtë radhe me kërkesë të socialistëve.


Zëra pranë grupit socialist, shprehen se Bashkia e Tiranës nuk do të tërhiqet nga projektbuxheti fillestar, gjë që do të thotë se nuk do të pranohen kushtet e vendosura nga pala bllokuese e përfaqësuar nga dyshja LSI-PD.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›