E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në Asamblenë e INTERPOL-it

Lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar, si dhe bashkëpunimi mbi rolin e forcave policore në operacionet paqeruajtëse të OKB-së, janë pjesë e diskutimeve të takimit të 70 ministrave të Brendshëm nga e gjithë bota, në kuadër të Asamblesë të Përgjithshme të 78-të të INTERPOL-it, - e cila po mbahet në Singapor.
Në fjalën e mbajtur nga Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, janë theksuar arritjet e Shqipërisë përgjatë viteve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, si dhe rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit dhe koordinimit midis Shqipërisë dhe partnerëve euroatlantikë dhe INTERPOL-it. "Duke zbatuar një politikë zero tolerancë ndaj krimit, Shqipëria arriti që në një kohë fare të shkurtër të shkatërrojë mbi 220 organizata dhe qeliza të krimit të organizuar në Shqipëri dhe të çojë mbi 1000 persona para drejtësisë", - theksoi Ministri Basha. Sipas tij, "Si rezultat i këtij vullneti politik dhe rritjes së kapaciteteve zbuluese, dhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer me vendet fqinje, me vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, me EUROPOL-in dhe INTERPOL-in, Shqipëria është shndërruar në një nga vendet me tregues të kriminalitetit nën mesataren e BE-së, duke garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe duke u kthyer në vendin më të sigurtë në Rajon".
Ministri Basha pohoi gjithashtu se, bashkëpunimi me INTERPOL-in e rendit Shqipërinë në krye të listës, përsa i përket kërkesave për arrestime dhe ekstradime nga territori i vendeve anëtare. Në këtë kuadër Ministri Basha, rikonfirmoi vullnetin e palës shqiptare për të proceduar me rigorozitet, përsa i përket kërkesave për arrestimin dhe ekstradimin e çdo individi që ka kryer vepra penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›